Pas vizitës së pak ditëve më parë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një tjetër takim paraditen e kësaj të hëne në bashkinë e Vlorës. Takimi i kreut të qeverisë, që zgjati rreth një orë, vjen pas kritikave, valës së dorëheqjeve të drejtorëve si dhe aksionit të nisur për lirimin e hapësirave publike.
Pasi doli nga bashkia, inspektoi lirimin e hapësirave në lagjen ‘Muradie’, ndërsa shoqërohej nga deputeti dhe ministri Pirro Vengu, kryebashkiaku Ermal Dredha si edhe drejtuesi politik i qarkut Bledi Çuçi.
“Hiqni tavolinat dhe karriget, lironi hapësirën”, dëgjohet kryeministri teksa i drejtohet një pronari.
Më pas, kreu i qeverisë ‘përshkroi’ në këmbë për inspektim edhe Lungomaren.
Kreu i qeverisë ka kërkuar një analizë të thellë për problematikat e qytetit si dhe ka lënë një afat deri më 15 korrik për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të bashkisë. Ditët e fundit, kryeministri ka shtuar kritikat dhe ka paralajmëruar penalitete nëse nuk do të lirohen hapësirat publike në Vlorë, Tiranë por edhe në qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë, bashkia e Vlorës ka intensifikuar aksionin e hapësirave publike në të gjithë qytetin. Aksioni është zhvilluar edhe gjatë natës. Shëtitorja bregdetare “Lungomare” është kthyer në epiqendrën e këtij operacioni. Vetëm pak orë më parë, gjatë ditës së dielë, kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, bëri një paralajmërim të prerë për të gjithë subjektet private që kanë zaptuar hapësirat publike. Ai deklaroi se nuk do të ketë më asnjë tolerim për bizneset që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, sidomos në zonat e dedikuara për këmbësorë.
Ky operacion, sipas Bashkisë së Vlorës, synon t’i kthejë qytetit dhe banorëve hapësirat publike të uzurpuara prej vitesh, veçanërisht përgjatë bregdetit që gjatë sezonit veror frekuentohet masivisht nga pushues vendas dhe të huaj.
“Ka vijuar përgjatë gjithë ditës së djeshme, deri pas mesnate, aksioni i ekipeve të Policisë Bashkiake dhe IMT-së, për lirimin e hapësirave publike nga zaptimi i papranueshëm! Ambientet e përbashkëta i përkasin komunitetit dhe ndaj kujtdo që do t'i trajtojë si të tijat, do të merren masa që shkojnë edhe përtej gjobave që janë vënë gjatë këtyre orëve!”, thotë kryebashkiaku Dredha.
Lajm ne perditesim...
Pasi u la 48 orë kohë zaptuesve, kryeministri Edi Rama ka ‘zbritur’ sërish në Vlorë. Pas takimeve brenda në Bashkinë e Vlorës, kreu i qeverisë ka inspektuar lagjen historike ‘Muradie’. Rama dëgjohet të kërkojë lirimin e hapësirave publike, duke dhënë porosi për heqjen e tavolinave dhe karriget.
Një e moshuar ka kërkuar që të takojë kryeministrin Edi Rama pasi ky i fundit doli nga takimi që mbajti në bashkinë e Vlorës.
E moshuara shihet në video teksa përpiqet të shkojë pas kryeministrit ndërsa ndalohet nga forcat e policisë dhe sigurisë.
Më pas, arrin t’i tërheqë vëmendjen kryeministrit dhe shihet teksa bisedon me të.
Komente

Zoti kryetar te shikohet pedonalja dhe gjuhadoli ne shkoder , trotuaret te Zena komplet nga lokalet dhe muzika ne maksimum.
Përgjigju