VLORË - Policia ka vënë në pranga 54-vjeçarin I. B., drejtues i një taksie, si i dyshuar për bashkëpunim në trafikimin e armëve. Arrestimi i tij u bë në vijim të operacionit policor “The Passenger”, i zhvilluar disa ditë më parë, kur në bagazhin e taksisë që ai drejtonte u gjet një armë zjarri automatike.
Gjatë operacionit, një 17-vjeçar që udhëtonte si pasagjer u arrestua në flagrancë, pasi dyshohet se po transportonte armën për ta shitur në Vlorë. Hetimet treguan se taksisti kishte bashkëpunuar me të në këmbim të një pagese.
'Gjatë operacionit të zhvilluar 4 ditë më parë, në aksin rrugor “Fier - Vlorë”, në bagazhin e taksisë me drejtues shtetasin I. B. dhe pasagjer një 17-vjeçar, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatike, që dyshohet se 17-vjeçari, i cili u arrestua në flagrancë, po e transportonte drejt Vlorës, me qëllim shitjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi I. B. është i përfshirë në këtë rast, pasi ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin, për transportimin e armës së zjarrit, në këmbim të një shumë parash që do të merrte pas shitjes së saj.', njofton policia.
Policia vijon kërkimet për shtetasin Ergi Gjini, të dyshuar si i përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Vlorës.
19-vjeçari Ergi Gjini, dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin për të siguruar armën e zjarrit. Pas kontrollit në shtëpinë e 19-vjeçarit, u gjet një krehër tjetër arme, i cili u sekuestrua si provë materiale.
Komente

Që ditën e parë kam dyshuar te taxisti.
Përgjigju