Vlorë- Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim për disa vjedhje në seri në qytetin e Vlorës, është arrestuar nga policia vendore pas një operacioni.
I arrestuari është Dritan Bardhi, banues në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është autor i disa vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjes të kryera gjatë vitit 2025”, bëri me dije policia vendore.
I riu dyshohet se më datë 25 shkurt ka hyrë me forcë në një dyqan në lagjen “Pavarësia 2”, ku ka vjedhur disa produkte elektrike dhe po në të njëjtën ditë ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një dyqan në lagjen “Pavarësia 3”. Kurse më datë 23 korrik ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një magazinë në lagjen “1 Maji” dhe më 14 gusht ka vjedhur materiale të ndryshme me vlerë rreth 3000 euro, në një tjetër magazinë në lagjen “1 Maji”.
Policia ka siguruar si prova materiale edhe pamjet filmike nga kamerat e bizneseve, ku dallohet Bardhi teksa kryen bastisjet.
Për katër rastet e dokumentuara, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “vjedhja”, kryer më shumë se një herë.
Komente
