Vlorë- Policia ka zbardhur dhe dokumentuar 7 raste të vjedhjeve të kryera në qytet gjatë dhjetorit 2024. Autori i dyshuar është një 29 vjeçar, banues në Vlorë. Erjon Baraj u arrestua në kuadër të operacionit "Shadoë"
Nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas, i maskuar me kapuç, pelerinë dhe dorashka, dhe nën përdorimin e sendeve si çekan dhe levë, ka kryer vjedhje me thyerje në markete të ndryshme në qytetin e Vlorës, informoi sot policia.
Erjon Baraj akuzohet se është autori i bastisjeve të ndodhura nga 12 Dhjetori, deri më 29 Dhjetor 2024.
Kamerat e sigurisë filmuan 29 vjeçarin. Në një prej sulmeve ai shihet teksa i kamufluar me pelerinë me kapuç, e me levë në dorë, shqyen derën e marketit, hyn brenda dhe hap sirtarin e kasës, duke grabitur prej andej xhiron e subjektit.
Kurse në rastin e dytë tenton të hapë derën, por pa sukses, teksa herë pas here hedh vështrimin sa majtas djathtas për të parë nëse ka njerëz apo patrulla policie.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: një pelerinë me kapuç, një levë, dy çekanë, një palë dorashka dhe disa produkte të vjedhura tha policia vendore.
-Më 12.12.2024, në lagjen “Pavarësia”, në një market ka vjedhur steka cigare dhe një shumë parash nga kasa e lekëve;
-Më 16.12.2024, në lagjen “1 Maji”, në një market, ka vjedhur një shumë parash;
-Më 18.12.2024, në lagjen “Lef Sallata”, në një market, ka vjedhur një shumë parash;
-Më 23.12.2024, në lagjen “Lef Sallata”, ka tentuar të vjedhë një market;
-Më 24.12.2024, në të njëjtën lagje, ka vjedhur në një market një shumë parash;
-Më 29.12.2024, në lagjen “Pavarësia”, ka vjedhur dy markete, duke marrë produkte dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “vjedhja”.