Vlorë/ Çifti i bashkëshortëve hiqeshin si zyrtarë dhe mashtruan biznesmenin himarjot për 8 mijë euro, arrestohen! Në pranga edhe mikesha e tyre (VIDEO+DETAJET)

6 Shtator, 12:53| Përditesimi: 6 Shtator, 13:02

  • Share

Vlorë- Një tjetër rast mashtrimi dhe zhvatjeje në grup teksa hiqeshin si zyrtarë të lartë shtetërorë nëpërmjet platformës Signal, (skema e bujshme e të superkërkuarit Florian Gjergji), është goditur nga organet ligjzbatuese.

Policia e Vlorës njoftoi sot (6 Shtator) se finalizoi operacionin e koduar “Notification”, për “goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë”, duke tentuar të merrnin 8 mijë euro nga një biznesmen vendor që i denoncoi.

Tre persona ranë në pranga, mes të cilëve një çift bashkëshortësh dhe bashkëpunëtorja e tyre.

I dëmtuari njihet si një operator ekonomik në zonën turistike të Himarës, kurse aksioni u bë me dorëzim të kontrolluar nga agjentët, duke i futur të dyshuarit në kurth.

“Ndërhyrja u bë pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë”, tha policia vendore.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se pasi kanë kontaktuar biznesmenin nëpërmjet një numri telefoni, “të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, kanë rritur edhe besueshmërinë e kërkesave të tyre, për të përfituar shumën prej 8 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë, teksa vijon hetimi aktiv për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.     

Gjithashtu Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apeloi për qytetarët, që “të raportojnë menjëherë për çdo rast të mashtrimit apo të përpjekjes për mashtrim, për t’i parandaluar raste të tilla”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?