VLORË- Tre punonjës pranë zyrës së Urbanistikës në bashkinë Vlorë janë vënë në hetim, pasi kanë dhënë një leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin.
Report Tv mëson nga burime zyrtare se punonjësit R. H., 33 vjeç, K. M., 32 vjeç dhe S. A., 35 vjeçe kanë shkelur ligjin duke favorizuar një person me inicialet A. I..
Ndërkohë, nën hetim për ndërtim të paligjshëm edhe vetë pronari i objektit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit R. H., 33 vjeç, K. M., 32 vjeç dhe S. A., 35 vjeçe, me detyrë punonjës pranë zyrës së Urbanistikës në bashkinë Vlorë.
Këta shtetas dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke miratuar praktikën për dhënien e një leje ndërtimi jashtë kritereve ligjore, në favor të shtetasit A. I., i cili ka vijuar ndërtimin e objektit jashtë kushteve teknike të lejes së ndërtimit. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. I., 38 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, njofton Policia.