Vlorë- Dy persona të arrestuar dhe 3 të tjerë nën akuzë gjatë orëve të fundit nga Policia e Vlorës, të akuzuar për drogë, thyerje të masës së sigurisë, armë dhe përplasje fizike e dëmtim prone.
Burime zyrtare nga policia vendore bënë me dije se Sektori i Antidrogës vuri nën pranga të dyshuarin D. L., 41 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Kurse në Sarandë u arrestua M. B., 48 vjeç, pasi është kapur duke thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gjatë aksionit ai ka kundërshtuar edhe punonjësit e Policisë në krye të detyrës.
Dy personat e tjerë të marrë nën akuzë janë nga Vlora. Respektivisht T. P., 33 vjeç, pasi në lagjen “Kushtrimi”, gjatë kontrollit të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatike e çmontuar dhe në gjendje jo të rregullt teknike.
Si dhe G. C., 20 vjeç, dhe A. A., 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohen se gjatë parkimit të automjetit, kanë dëmtuar pasqyrën e një automjeti tjetër dhe janë konfliktuar fizikisht me drejtuesin e tij, E. H., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Komente
