Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë ditës së sotme një beach bar në zonën bregdetare të Jonufrit, duke e shkatërruar tërësisht objektin. Ngjarja ka shkaktuar panik tek pushuesit dhe banorët e zonës, të cilët kanë parë me sytë e tyre sesi flakët u përhapën me shpejtësi.
Sipas burimeve të para, dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në instalimet e brendshme, e cila ka bërë që flakët të përfshijnë në pak minuta të gjithë ambientin e ndërtuar kryesisht me materiale druri dhe të lehta, duke e bërë shuarjen e tij pothuajse të pamundur.
Forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe ndërhynë për neutralizimin e flakëve, por pavarësisht përpjekjeve, objekti u dogj i gjithi. Zjarrfikësit punuan për disa orë për të shmangur përhapjen e zjarrit në zonën përreth, ku ndodhen edhe biznese të tjera sezonale.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet vendore po ndjekin nga afër situatën dhe kanë nisur verifikimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet e zjarrit.
Banorët e zonës shprehen se ky është rasti i dytë brenda verës që një biznes në Jonufër përballet me flakët, duke ngritur shqetësimin për mungesën e masave parandaluese dhe kontrollit të instalimeve elektrike në objektet buzë detit, të cilat në shumicën e rasteve janë të përkohshme dhe të ndërtuara pa standardet e duhura të sigurisë.
Komente
