Sociale

Vlorë/ Fshati Mavrovë si në mesjetë, pa rrugë, ujë e dyqane, banorët: Zero investime, politikanët vijnë vetëm për zgjedhje

23 Nëntor 2021, 17:40| Përditesimi: 23 Nëntor 2021, 17:45

  • Share

Fshati Mavrovë, dikur numëronte më shumë se 150 familje, por sot kanë mbetur vetëm 50. I ndodhur 19 kilometra nga qyteti i Vlorës dhe jo më shumë se 5 km nga rruga e “Lumit të Vlorës”,  ky fshat është lënë në harresë.

Ata pak banorë që kanë mbetur, jetojnë në kushte mesjetare. Sikurse tregojnë vetë ata, janë pikërisht këto kushte që kanë çuar në ikjen masive të bashkëfshatarëve të tyre.

“Shkak i largimeve janë rruga dhe uji. S’kemi asgjë, as shkollë as dyqane. Rruga është për ibret. Këtu kanë qenë mbi 150 shtëpi, por tani s’kanë mbetur shumë”, thonë banorët.

Fëmijët, të cilët dikur e zhvillonin mësimin në fshatin Mavrovë, tani e bëjnë në fshatin Kotë, 7 kilometra nga ky fshat.

Dhe ajo që është më e trishtueshme, është plakja e popullsisë së kësaj zone. Një fshat, ku nuk ka asnjë fëmijë...

“Fëmijë këtu, 3-4 janë gjithsej dhe janë të lagjia matanë. këtu nuk ka asnjë fëmijë”, vijojnë ata.

Kjo ka bërë që shkolla e fshatit Mavrovë të mbyllet prej 10 vitesh.

“Ja shkolla këtu është, por ka 10 vjet që nuk funksionon. Në rregull është shkolla por nxënës s'ka. Kanë ikur në zona të tjera”, sqarojnë banorët.

Banorët e fshatit rrëfejnë se si prej vitesh, kjo zonë nuk ka parë asnjë investim, dhe se e vetmja periudhë kur politikanët duken, është ajo para zgjedhjeve.

“Kjo rrugë ka 2-3 vjet që ëhstë në këtë gjendje. Nuk vijnë as makinat, për ibret është rruga. Në këtë zonë ka 30 vjet që nuk është vënë dorë. Jetojmë si mos më keq, politikanët vijnë vetëm për votat këtu”, shprehen ata.

Banorët e fshatit Mavrovë, bëjnë thirrje për investime, si një nga mënyrat për të mos boshatisur fshatin. Ata shprehen se do të detyrohen të largohen edhe vetë, me mundësinë e parë që do t’u jepet...

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?