42-vjeçari Flori Tahiraj nga Vlora u arrestua një ditë pasi goditi me helikën e një mjeti lundrues një 60-vjeçar. Fillimisht, ngjarja u cilësua aksidentale, por në njoftimin e fundit policia thotë se Tahiraj është arrestuar për plagosje të rëndë me dashje.
Ngjarja ndodhi të shtunën në Karaburun, ku burri mbeti i plagosur në këmbë, pasi u godit nga një mjet që po ankorohej në molin e vjetër të ushtrisë në gjirin e Shën Janit. Turisti i lënduar kishte zbritur nga një anije turistike në det pranë këtij moli, që nuk është zonë plazhi. I plagosur për shkak të gjendjes së rëndë u dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa mjeti është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Në javën e fundit, Policia e Shtetit bënë me dije se në total në të gjithë vijën bregdetare në vend, nga Velipoja në Ksamil u bllokuan 34 mjete lundrimi, në mesin e të cilave janë 24 jet ski, 6 skafe dhe 4 gomone. Sipas bluve, 7 mjete lundruese u bllokuan nga Durrësi në Shëngjin, 2 në Velipojë dhe 10 prej tyre u konstatuan nga shërbimet e Policisë Kufitare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.
Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 mijë lekë. Ndërkohë, 24 drejtues të tjerë u gjobitën secili me nga 10 mijë lekë për mungesë të dokumentacionit. Përgjatë kësaj jave, policia iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 4 raste, që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare.