Vlorë- Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës. Një 23-vjeçar i identifikuar si Olsian Xhanaj është arrestuar pasi një ditë më parë goditi me levë hekuri në kokë një 33-vjeçar pas një sherri të ndodhur në lagjen “Kushtrimi”. I riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Strukturat e DVP Vlorë dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të dy konflikteve të ndodhura gjatë ditës së djeshme në Vlorë, duke vënë në pranga 2 autorë të dyshuar, konkretisht:
-u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasi O. Xh., 23 vjeç, pasi dyshohet se dje, rreth orës 19:30, në lagjen “Kushtrimi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me levë hekuri, në kokë, shtetasin E. D., 33 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, informoi sot policia.
Ndërkohë personi i dytë që u arrestua është Edmond Zanaj, 56-vjeç i cili gjithashtu dje qëlloi me thikë një 64-vjeçar pas një konflikti në lagjen “Uji i Ftohtë”.
“U arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi E. Z., 56 vjeç, pasi dyshohet se dje, rreth orës 19:45, në lagjen “Uji i Ftohtë”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin M. I., 64 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për të dyja rastet.
Komente
