Dy turistë kanadezë të cilët kishin humbur rrugën gjatë një shëtitje në 'Gjirin e Gramës', Karaburun janë ndihmuar nga policia e kufitare e Dhërmiut.
Sipas njoftimit të policisë bëhet me dije se pas kërkimeve turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore rreth mesnatës (24:00).
Njoftimi i policisë:
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, salla operative e DVKM Vlorë është njoftuar se dy shtetas kanadezë, të ndarë nga grupi i tyre gjatë një ecjeje në zonën e Karaburunit, kishin humbur orientimin dhe nuk dinin të ktheheshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizuan shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, të cilët u nisën me mjet lundrues drejt Gjirit të Gramës.
Pas mbërritjes, efektivët e Policisë vijuan kërkimet në këmbë, në terrenin e vështirë malor dhe në kushte të errësirës, duke bërë të mundur, rreth orës 24:00, lokalizimin dhe gjetjen e dy turistëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët u shoqëruan në Gjirin e Gramës dhe iu bashkuan grupit të tyre, ndërsa falënderuan shërbimet e Policisë së Shtetit për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve, në çdo cep të territorit.
Komente
