Vlorë- Finalizohet operacioni policor i koduar “Epilogo”, arrestohet një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë.
Fredi Arshi, alias Alfred Arshiaj, 60 vjeç, banues në qytetin bregdetar, rezultonte i dënuar nga autoritetet italiane me 11 vjet e 6 muaj burgim, vendim i Gjykatës së Torinos më 2018.
Ai u arrestua për t’u ekstraduar në Itali, ndërsa është dënuar si pjesëtari i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.
"Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Epilogo”, njoftoi policia vendore.
Gjatë operacionit, Arshiaj (Arshi) u kap në lagjen “10 Korriku” dhe janë njoftuar autoritetet italiane për procedurat e ekstradimit.
"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, me vendimin e datës 20.03.2018, e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal Italian", sqaron policia.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e tij drejt Italisë dhe do pritet masa e Gjykatës së Vlorës.
Komente
