Vlorë - Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, ndihmoi dy persona që mbetën në det gjatë natës, për shkak të një defekti të mjetit lundrues, në zonën e “Plazhit të Vjetër”.
Pasi i sollën në breg, blutë bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit lundrues është gjobitur me 100 mijë lekë pasi nuk kishte dokumentacionin përkatës për lundrim.
Njoftimi i policisë:
Pas marrjes së njoftimit se një skaf me 2 shtetas në bord kishte pësuar defekt brenda Gjirit të Vlorës, u organizua menjëherë puna për t’u ardhur në ndihmë.
Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me efektivët e Guardia di Finanza, lokalizuan skafin në zonën e “Plazhit të Vjetër” dhe pas ndërhyrjes, u bë i mundur riparimi i defektit dhe shoqërimi i tij në mënyrë të sigurt drejt stacionit.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk dispononte në bord dokumentacionin përkatës për lundrim, ndaj tij u vendos masa administrative prej 10 000 lekësh, në zbatim të ligjit në fuqi.
Policia Kufitare, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, vijon të qëndrojë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe për të reaguar me profesionalizëm në çdo situatë emergjente.
Komente
