Vlorë- Policia kufitare e Vlorës i ka ardhur në ndihmë një personi i cili kishte mbetur në det të hapur pasi motori i gomones që po lundronte pësoi defekt.
Ngjarja u regjistrua një ditë më parë afërsi të Plazhit të Vjetër, ndërsa drejtuesi i mjetit lundrues kishte të pamundur kthimin në breg.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare i vjen në ndihmë një shtetasi që kishte mbetur në det me gomone, për shkak të një defekti në motorin e mjetit lundrues.
Ditën e djeshme, Policia Kufitare ka marrë njoftim se në afërsi të Plazhit të Vjetër, një gomone kishte pësuar defekt në motor dhe shtetasi që lundronte me të kërkonte ndihmë, pasi e kishte të pamundur kthimin në breg.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, me mjetin lundrues të Stacionit të SPK Triport, janë nisur drejt vendit të raportuar. Pas lokalizimit të gomones, u bë rimorkimi dhe transportimi i saj në mënyrë të sigurt drejt Stacionit të Policisë Kufitare Triport.
Drejtuesi i mjetit lundrues falënderoi shërbimet e Policisë Kufitare për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar për sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën në çdo rast emergjent.
Komente
