Vlorë- Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Vlorë pasi iu gjetën doza kanabisi dhe kokaine gati për shitje
36-vjeçari u arrestua në fshatin Jalë, Himarë, ndërsa lënda narkotike u gjet nga kontrolli fizik dhe në banesën ku ishte akomoduar.
“Në vijim të kontrolleve intensive në zonat turistike të qarkut Vlorë, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, kanë goditur një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike.
Në fshatin Jalë, Himarë, u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit personal dhe atij në banesën ku ishte akomoduar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuara kokainë, MDMA, dhe kanabis”, informoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Komente
