VLORË- Për shkak të motit të keq që është parashikuar në ditët në vijim është pezulluar lundrimi për të gjitha mjetet e vogla, si edhe për ato të peshkimit. Njoftimi është bërë me dije nga Autoriteti Portual, ku theksohet se pezullimi do të zgjasë deri më darë 22 nëntor, pasi për shkak të motit të keq lartësia e dallgëve në bregdetin e Vlorës mund të shkojë nga 1.80 deri 3.50 metra.
Autoriteti Portual bën thirrje edhe drejtuesit anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese të marrin masa për sigurimin e mjeteve në kalatë.
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për datën 19-20-21-22 nëntor 2022 duke filluar nga ora 12:00 date 19 Nëntor në drejtimin Jug-Jug-Lindje në forcën 5-6bft, 1.20-1.80m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën 6-7bft deri 8bft 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.80 deri 3.50 metra.
1. Është ndaluar dhënia e leje-nisjes e të gjitha mjeteve të vogla lundruese , anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre. 2. Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuar dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3. Njoftohen të gjithë drejtuesit anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe të merren masat për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 19-20-21-22 nëntor 2022. 4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar vazhdojnë të operojnë normalisht.
5. Përmirësimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 22 nëntor 2022 ora 10:00.
Ditën e sotme, për shkak të motit te keq u pezullua edhe një traget nga Porti i Durrësit drejt Barit. Udhëtimi u shty me disa orë.
DURRËS- Për të gjithë pasagjerët që kishin planifikuar udhëtimin me traget nga Porti i Durrësit drejt Barit, udhëtimi është shtyrë me disa orë. Lajmi është bërë me dije nga Kapiteneria, ku bëjnë me dije se shkak janë bërë kushtet e vështira të motit.
“Njoftojmë të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar biletat për të lundruar me traget mbrëmjen e sotme drejt Barit(Itali) se për shkak të kushteve të vështira të motit, nisja nga Porti i Durrësit do të bëhet me disa orë vonesë.
Kompanitë e lundrimeve do të respektojnë të gjitha detyrimet që lindin nga kjo vonesë, prandaj për çdo informacion mund të kontaktoni me to. Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe sapo të kemi një njoftim për normalizimin e situatës, do e bëjmë të ditur në vijim”, thuhet në njoftim.
Prej pak ditët, vendi ynë është përfshirë nga mot me erë të fortë dhe shira, që pritet të zgjasë deri në fund të nëntorit.