VLORË- Në Gjirin e Gjipesë në Dhërmi, pushuesi gjerman 46-vjeçar ishte duke u larë në det, por në një moment teksa ka qenë i zhytur në ujë, një skaf që kaloi pranë, pa e parë, e dëmtoi në këmbë me helikën e mjetit lundrues. Drejtuesi i skafit Krenar Velaj 27 vjeç ndaloi dhe e nxori në breg pushuesin e dëmtuar. Nga spitali i Traumës mësohet se ai e ka kaluar rrezikun për jetën dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale nuk rrezikon të humbasë gjymtyrët.
Sipas policisë, Krenar Velaj me banim në Orikum, drejtonte mjetin lundrues gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, por megjithëkëtë, u arrestua për plagosje të rëndë me dashje.
"Në vijim të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur Gjiri i Gjipesë, Dhërmi, Himarë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, shtetasin K. V., banues në Orikum.
Ky shtetas, ditën e djeshme, duke drejtuar një mjet lundrues (gomone), ka goditur në det me pjesën e përparme të gomones, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës",njoftoi sot policia.
Në Durrës, turisti belg 21-vjeçar ra në det, pasi gjatë manovrave humbi kontrollin e JetSki-së që drejtonte. Ai mori ndihmë fillimisht në spitalin e Durrësit ndërsa nga Trauma raportohet se ndodhet në gjendje të mirë. Për incidentin e tij në det, policia e Durrësit arrestoi Skedilajt Xhametajn 51 vjeç, me banim në Tiranë, personi që i kishte dhënë me qira Jet Ski-në turistit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu, shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin.
Shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme", informoi Policia e Durrësit.
Ai akuzohet për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” pasi e dha mjetin lundrues pa masat e sigurisë së nevojshme, ndërsa belgu nuk kishte patentë për këtë kategori. Ndaj 51-vjeçarit është ngritur edhe akuza për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” pasi gjatë kryerjes së veprimeve procedural nga ana e policisë, ai ka dhënë informacione të rreme për rastin.
Komente

Nuk e kuptoj, nese pronari i mjetit ka dokumentacion te rregullt, dhe lundron jashte perimetrit te sigurise, pra ne det te hapur, ku fillon dhe mbaron faji dhe pergjegjesia e tij? Po turistet dhe pushuesit a nuk duhet ta respektojne perimetrin e sigurise?
Përgjigju