Prej disa ditësh Report Tv ka denoncuar hedhjen e inerteve në Vlorë pa kriter dhe vend pa vend. Pas rastit të hedhjes së inerteve në Pyllin e Sodës në vijën bregdetare të Vlorës, sot i njëjti rast paraqitet në Orikum. Gjatë vazhdimit, kamera e Report Tv filmoi hedhjen e inerteve të tjera të hedhura buzë lumit të Izorit në hyrje të Orikumit.
Firmat e ndërtimit në mes të ditës, pa u trembur nga ligji, kanë hedhur inerte të shumta të çdo lloji, nga betone te thyera, mbeturina ndërtimi dhe pjesë të ndryshme të objekteve të prishura.
Me shirat që mund të vijnë, këto inerte mund të kalojnë në lum dhe më pas në det. Mendohet se këto inerte kanë rreth një muaj që rrinë aty, ndërsa banorët thonë se kjo pamje i shqetëson, por që askush nuk bën asgjë.
“Ka qenë një godinë atje si punë tregu, ata po bëjnë punimet për rrugën dhe i kanë marrë dhe i kanë hedhur aty. Mund të keni mbi një muaj, sigurisht që pamja është shqetësuese”, tha një banore.
Në lidhje me të rast policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbulimin e autorit që ka hedhur inertet buzë lumit të Izorit në hyrje të Orikumit.
Pak ditë më parë, i njëjti rast u shfaq në Pyllin e Sodës ku mbi 10 kamionë u bllokuan në pikën e Triportit, pasi hidhni inerte aty.