Vlorë - Policia Kufitare Vlorë i erdhi në ndihmë 3 pushuesve që rrezikuan të mbyteshin, në afërsi të plazhit të Ujit të Ftohtë.
Sipas njoftimit të bluve fillimisht ka qenë një pushuese që lundronte me kanoe dhe kishte të pamundur kthimin në breg.
Dy pushues të tjerë shkuan për ta ndihmuar, por për shkak të distancës së largët nga bregu u rrezikuan edhe ata.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare Vlorë i erdhi në ndihmë 3 pushuesve që rrezikoheshin në det, në afërsi të plazhit të Ujit të Ftohtë.
Salla e DRKM Vlorë mori njoftim se një shtetase po lundronte me kanoe, por kërkonte ndihmë pasi ndodhej rreth 1 milje larg bregut dhe kishte të pamundur kthimin.
Dy pushues të tjerë kishin hyrë në det me not për t’i ardhur në ndihmë shtetases, por për shkak të distancës së largët nga bregu u rrezikuan edhe ata.
Menjëherë, mjeti lundrues i Policisë Kufitare u nis drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur marrjen në bord të tre pushuesve. Falë reagimit në kohë të Policisë Kufitare, tre shtetasit u nxorën në breg të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe fton qytetarët që në çdo rast emergjence të kontaktojnë menjëherë në numrin 112.
Komente
