Vlorë- Dy anglezë kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi shisnin drogë në club-et verore.
Policia bën me dije se gjatë kontrolleve të kryera në dhomën ku po qëndronin ka sekuestruar 103 doza MDMA dhe Ketaminë, si dhe 120 kokrra Ekstazi, të përgatitura për shitje.
Gjithashtu atyre u është sekuestruar dhe një shumë prej 6 185 eurosh dhe 720 paundësh si dhe 4 aparate celularë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të kontrolleve për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta, falë administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore dhe në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonat turistike, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Cocktail”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj, lindur dhe banues në Londër, J. B., 34 vjeç, dhe J. C., 33 vjeç, të cilët qëndronin të akomoduar në fshatin Dhërmi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e tyre dhe në automjetin tip “Mitsubishi”, në përdorim të tyre, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 52 doza me lëndë narkotike të llojit MDMA, 51 doza me lëndë narkotike të llojit Ketaminë, 120 kokrra Ekstazi, një shumë prej 6 185 eurosh dhe 720 paundësh si dhe 4 aparate celularë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i shisnin dozat e lëndëve narkotike në ambientet e argëtimit përgjatë vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente
