Godina e shkollës 9-vjeçare “Hajredin Haxhiraj” në fshatin Kërkovë të Vlorës është krejtësisht e amortizuar. Prej 20 vitesh nuk ka njohur asnjë riparim, edhe tabela ka mbetur nga sistemi i vjetër i arsimit 8-vjeçar.
Në këtë shkollë kanë mbetur vetëm 20 nxënës të fillores. Për shkak të kushteve aspak normale për mësim, prindërit janë detyruar që fëmijët më të rritur t'i dërgojnë në shkollat e qytetit të Vlorës, 10 kilometra larg.
"Në vitet '78-'79 kur kam mbaruar unë shkollën ka qenë ta puthësh, tani shiheni vetë si është!"
"Çfarë bie lart hyn brenda. S'ka as tualete asgjë!"
"Është gjynah ta lësh kështu, se ka goxha banorë", - thanë ata.
Drejtori i shkollës Saimir Xhaferraj tha se ka marrë premtime për rikonstruksion.
"Ne si shkollë kemi bërë kërkesa të vazhdueshme dhe na kanë premtuar se së shpejti do të lëvrohet fondi për rikonstruksionin e shkollës".
Kërkova është një ndër fshatrat me popullsinë më të madhe në Bashkinë e Vlorës, me 430 familje, ndaj rikonstruksioni i shkollës mbetet domosdoshmëri.