Godina të vjetra dhe të braktisura në Vlorë nuk shërbejnë vetëm si vend për grumbullimin e mbeturinave. Ato janë kthyer edhe në një bazë për përdoruesit e lëndëve narkotike. Report Tv bëri një vëzhgim dhe konstatoi se janë me dhjetëra godinat që janë kthyer në baza për përdoruesit e drogës, sidomos të lëndëve narkotike të forta.
Banorët ndihen të rrezikuar. Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërhyrje, pasi rreth këtyre zonave lëvizin çdo ditë fëmijë e të moshuar.
"Për këtu ka vdekur një djalë nga Çolja", tha një qytetar.
"Të rregullohen ose të prishen ose t'i kthehen pronarit", thotë një tjetër.
"Disa prej këtyre unë i njoh, janë të varur dhe nuk i ndalon dot", vijon një tjetër qytetar.
Pavarësisht se shqetësimi është ngritur jo pak herë nga komuniteti, askush nuk ka ndërhyrë për të marrë masa për detyrimin e pronarëve për kujdesin ndaj pronës së tyre. Banorët thanë për Report Tv se janë kryesisht të rinj, të cilët në orët e vona të natës I frekuentojnë ambiente të tilla.