Vlorë, stani përfshihet nga flakët, digjen dhe bagëti (VIDEO)

10 Qershor, 09:38| Përditesimi: 10 Qershor, 15:23

  • Share

Një stan me bagëti të imta ka marrë flakë mbrëmjen e së dielës në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës. Fatkeqësisht zjarri dogji 11 krerë dhenë, keca dhe qingja.

Fermerja Mbarime Jonuzaj dyshon se zjarri që ka bërë dëme të mëdha është i qëllimshëm. Sipas saj stanit i është vendosur flaka nga jashtë, pasi stani nuk ka energji elektrike dhe s’mund të ndodhte ndryshe.

“Doli burri për t’i mjelë dhe shikoi  flakën në mal. Gjitonët lajmëruan direkt policinë, erdhën menjëherë. Flaka mori, erdhën gjitonët, djali me fëmijë, gjithë Babica e tërë, su bë dot asnjë ndihmë e shpejtë. Janë 11 kokë të djegur. Të gjitha ishin 29-30, gjysmat i kemi shpëtuar. Zjarri është i vënë me qëllim. Unë s kam dritë fare, i mjel me prozhektor. Gjithë lagja këtu më ka qëndruar pranë i falënderoj. Tek asnjë nuk dyshoj, se të dy jemi në punën tonë, për mua është vënë me dorë, qëllimisht”, tha Mbarime Jonuzaj.

Dëmi sipas saj është i madh dhe i bën thirrje policisë te zbulojë dhe arrestojë zjarrvënësin.

Në banesë janë të vendosura kamera sigurie të cilat kanë filmuar lëvizjet në zonë si dhe momentin e flakëve. Pamje filmike mund të ndihmojnë policinë në zbardhjen e ngjarjes.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?