Taksistët e licencuar po përballen me një sfidë serioze për mbijetesë në treg, pasi fenomeni i taksive pa licencë është përhapur ndjeshëm, duke dëmtuar aktivitetin e tyre. Ata theksojnë se paguajnë rregullisht detyrimet ndaj shtetit, përfshirë sigurimet shoqërore, taksat dhe tarifat për rinovimin e licencave, por çdo ditë humbasin klientë për shkak të operatorëve të paligjshëm, të cilët ofrojnë shërbime pa iu nënshtruar rregullave dhe detyrimeve ligjore.
“Ne paguajnë taksat por këtu punojnë piratët. Detyrimet tona shkojnë 200 mijë lek në vit. Shteti nuk merr asnjë masë. Ka disa kompani private që e kanë licencen për hotele por dali këtu në shesh, zëvë vendet tona. Bashkia e ka fajin që jep licenca pa kriter”, thanë ata.
Taksistët shprehen të revoltuar nga mungesa e kontrollit dhe ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, shumë prej këtyre mjeteve të palicencuara operojnë hapur, duke pritur klientë në zonat më të frekuentuara të qytetit, shpesh pranë terminaleve të autobusëve apo qendrave tregtare, pa asnjë pengesë. Ata theksojnë se ndërsa vetë përballen me kontrolle të rregullta nga policia dhe bashkia, taksitë e paligjshme vazhdojnë aktivitetin pa asnjë pasojë. Të njëjtin shqetësim kanë shprehur dhe taksistët në Sarandë e Elbasan, që kanë protestuar për konkurencën e pandershme.
Komente
