Vlorë- Policia e Vlorës ka arrestuar një person për thyerje të masës së sigurisë, teksa ka proceduar një grua për thyerjen e xhamave të një lokali në Delvinë dhe 2 drejtues mjetesh për aksidente me pasojë po kaq të plagosur.
Komisariati i Vlorës njoftoi se arrestoi 32-vjeçarin me inicialet H. R., 32 vjeç, i cili ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, që i ishte dhënë më herët nga Gjykata e Rrethit.
Kurse efektivët në Delvinë nisën procedim penal dhe referuan në Prokurori të dyshuarën M. K., 33 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se më datë 4 janar, për motive të dobëta, ka thyer xhamat e një lokali në qytetin jugor.
Gjithashtu policia e Vlorës bëri edhe nisjen e hetimeve për dy raste aksidentesh me pasojë po kaq të plagosur, teksa po procedon dy drejtuesit e mjeteve.
Policia Rrugore njoftoi se aksidenti i parë ka ndodhur aksin rrugor Fier-Vlorë, kur A. M., 33 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Renault”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur trafikndarësen. Si pasojë është dëmtuar vetë drejtuesi, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Kurse në aksin rrugor Sarandë-Delvinë, automjeti me drejtues shtetasin G. I., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. S., 35 vjeç, ku për pasojë është plagosur ky i fundit, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.