VLORË- Një skenë e pazakontë u shënua në qytetin e Vlorës, dhe që zanafillën e ka tek një sherr banal mes 2 shoferëve, se kush do të parakalojë i pari në zonën e Lungomares.
Pasi humbi në këtë betejë të fortësh në rrugë, një nga shoferët, një 26-vjeçar me një Benz të ri, e ndoqi nga pas drejtuesin me Fiat Panda deri në rrugën e skelës.
Aty, siç tregojnë këto video të siguruara nga Report Tv, nis ta godasë disa herë me makinën e tij, automjetin tjetër, duke e nxjerrë nga rruga, bashkë me shoferin brenda.
Situata u ndalua fillimisht nga një efektiv policie civil i cili ndodhej pranë zonës duke konsumuar kafe me familjen. Ai ka ndërhyrë duke nxjerrë nga makina shoferin agresiv, i cili më tej u shoqërua në komisariat.
Fatmirësisht shoferi tjetër, një 18-vjeçar. arriti të dalë pa pësuar lëndime, ndërsa të dyja makinat pësuan dëme të konsiderueshme materiale.
'Goditi disa herë me automjetin e tij, automjetin e një shtetasi tjetër, duke i rrezikuar jetën, vihet në pranga 25-vjeçari. Menjëherë pas konstatimit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit, si dhe nga strukturat e tjera të DVP Vlorë që ishin në shërbim, se dy drejtues mjetesh, në vendin e quajtur “Rrethi i Skelës”, ishin përfshirë në një konflikt, ku njëri prej tyre, shtetasi Elis Hasanaj, 25 vjeç, po godiste në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij, automjetin e shtetasit Glendi Danaj , 18 vjeç, duke i rrezikuar jetën, ndërhynë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe duke neutralizuar shtetasin Elis Hasanaj.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Elis Hasanaj, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal', njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente
