Vlorë-Një sherr banal është regjistruar sot në Vlorë. I gjithë konflikti nisi për një parakalim në Lungo Mare. Automjeti tip Benz me drejtues Elis Hasanaj ka qenë duke ecur në Lungomare së bashku me Glendi Danaj i cili udhëtonte me mjetin tip Panda .
Fillimisht ka ndodhur përplasja midis dy të rinjve se kush duhej të kalonte i pari dhe më pas shoferi i 'Benzit' i revoltuar nga kjo situatë e ndjek nga pas dhe më pas e godet disa herë makinën tjetër në mes të qytetit siç shihet edhe nga pamjet e publikuara.
I gjithë incidenti është parë nga Julian Mehmetaj, polic i repartit Shqiponja teksa kishte dalë me familjen e tij. Falë ndërhyrjes së shpejtë të tij u shmang një përplasje tjetër mes të rinjve.
Ndërkohë, policia informoi se 25- vjeçari Elis Hasanaj, është arrestuar.
'Goditi disa herë me automjetin e tij, automjetin e një shtetasi tjetër, duke i rrezikuar jetën, vihet në pranga 25-vjeçari. Menjëherë pas konstatimit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit, si dhe nga strukturat e tjera të DVP Vlorë që ishin në shërbim, se dy drejtues mjetesh, në vendin e quajtur “Rrethi i Skelës”, ishin përfshirë në një konflikt, ku njëri prej tyre, shtetasi Elis Hasanaj, 25 vjeç, po godiste në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij, automjetin e shtetasit Glendi Danaj , 18 vjeç, duke i rrezikuar jetën, ndërhynë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe duke neutralizuar shtetasin Elis Hasanaj.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Elis Hasanaj, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal', njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente
