12 orët e fundit kanë qenë sfiduese për Policinë Kufitare dhe Forcat Detare, të cilat morën tre alarme të njëpasnjëshme dhe shpëtuan turistët e mbetur në det për shkak te defekteve ne mjetet lundruese por dhe mungesës së orientimit ne det te trazuar.
Të dielën pasdite një velierë me dy turistë të huaj mbeti në det të hapur rreth 5 milje larg Gjirit të Gramës, për shkak të një defekti në motor. Ata dhanë alarmin SOS dhe Policia bashkë me Rojën bregdetare ndërhynë për të shpëtuar turistet, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike. Report Tv siguroi pamjet e operacionit, kur mjeti lundrues shoqërohet drejt Portopalermos.
Vetëm dy orë më pas, një tjetër velierë lëshoi sinjal alarmin SOS pranë Ishullit të Sazanit. Tre turistë të huaj ndodheshin në vështirësi për shkak të errësirës dhe detit të trazuar me dallgë. Në mbrëmje vonë, mjeti u lokalizua dhe u shoqërua nga policia kufitare drejt Gjirit të Vlorës. Tre turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Mëngjesin e kësaj të hëne një tjetër operacion shpëtimi u zhvillua në Gjirin e Gramës, ku katër turistë që lëvizin ne këmbë humbën rrugën dhe mbeten të bllokuar në brigjet e detit. Forcat Detare ndërhynë me anije patrulluese dhe një gomone duke i marrë turistet në bord. Dy gjermanet dhe dy francezet u shoqëruan drejt ishullit të Sazanit në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare e Vlorës reagon me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke iu ardhur në ndihmë disa shtetasve që udhëtonin me një veliere, jeta e të cilëve rrezikohej nga moti i keq dhe dallgët e larta.
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:20, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se një tjetër veliere, që ndodhej rreth 3 milje në perëndim të Ishullit të Sazanit, kishte vështirësi në lundrim, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe errësirës, dhe personat në bordin e saj po rrezikoheshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u organizua ndërhyrja nga mjeti lundrues i Stacionit të Mjeteve Lundruese Triport, i cili u nis drejt koordinatave të raportuara.
Rreth orës 20:20, veliera u lokalizua dhe u shoqërua në mënyrë të sigurt në brendësi të Gjirit të Vlorës, ku ndaloi në zonën e “Bove”, pranë Plazhit të Vjetër. Nga komunikimi me ekuipazhin, rezultoi se shtetasit ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare vijon të qëndrojë në gatishmëri të plotë, 24/7, në shërbim të qytetarëve dhe turistëve.
Katër turistë të huaj që kishin mbetur të bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme janë shpëtuar në Gjirin e Gramës.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
Sot, në orën 07:55, pasi morën sinjal për praninë e katër turistëve të izoluar në Gjirin e Gramës, Forca Detare reagoi me shpejtësi. Anija patrulluese P-133 u nis menjëherë drejt vendngjarjes për të ofruar ndihmën e nevojshme.
Rreth orës 09:30, anija vendosi kontakt vizual me turistët dhe nisi operacioni i shpëtimit përmes gomones. Në orën 09:45, mjeti lundrues u akostua në breg, ku u identifikuan katër shtetas të huaj – dy gjermanë dhe dy francezë, një mashkull dhe tre femra.
Pasi u sigurua gjendja e tyre shëndetësore, që ishte e qëndrueshme, ata u transportuan në bord dhe u pritën me kujdes e përkujdesje nga efektivët tanë. U ofruan ushqime dhe pije gjatë lundrimit drejt ishullit të Sazanit, ku do të vijojnë të marrin mbështetjen e mëtejshme të nevojshme.
Ky është një tjetër shembull i përkushtimit dhe gatishmërisë së Forcës Detare për të qenë gjithmonë aty
Komente
