Kronikë

Lirohen hapësirat publike në Vlorë, sekuestrohen 40 çadra dhe 80 shezlongë! Policia aksion në Tiranë e Fier

12 Korrik, 09:55| Përditesimi: 12 Korrik, 13:53

  • Share

Vlorë- Policia e rendit në bashkëpunim me atë bashkiaken kanë nisur kontrollet në terren për verifikimin e dokumentacionit të plazheve private në qytetin e Vlorës.

Gjatë kontrrollit në një plazh përgjatë Lungomares blutë kanë konstatuar parregullsi ndaj që në orët e para të mëngjesit të kësj të shtune efektivët kanë hequr 40 çadra dhe 80 shezlongë.

Aksioni i ndërmarrë në këtë zonë nuk ka pasur kundërshtime nga pronari. Hapësira e plazhit e cila është rreth 500m2 do kthehet në plazh publik.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Policisë Bashkiake, gjatë kontrolleve të ushtruara në vijën bregdetare të qytetit, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, konstatuan se shtetasi F. B. kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë publike, duke vendosur pa leje 35 çadra dhe 70 shezlongë, për përfitim të kundërligjshëm.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit F. B., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, njoftuan blutë e Vlorës.

Ndërkohë në bregdetin e Semanit policia e Fierit ka liruar tre hapësira dhe ka nisur hetimet për personat që kishin vendosur çadrat e shezlongët pa leje.

Kurse në kryeqytet blutë liruan dy hapësira publike të cilat ishin zaptuar nga dy të rinj. Këto hapësira njëra në rrugën 'Sami Frashëri' dhe tjetra në rrugën "Teodor Keko" përdoreshin si vendparkim privat e bar-kafe.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në të gjithë vendin pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, që të gjithë bizneset që kanë zënë hapësirat publike, duhet t'i lirojnë ato vullnetarisht ose do të ndërhyjë shteti.

Ora 13:38
Tiranë/ Vendosi tavolina e karrige në trotuar dhe në rrugë, nën hetim pronari i lokalit në Astir

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë bashkiaken kanë vijuar edhe sot lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Pas këtij aksioni blutë bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për dy persona- njëri 26-vjeç pasi kishte zënë një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat dhe tjetri një 34-vjeçar i cili në rrugën “Teodor Keko”,  kishte zaptuar hapësirën publike dhe e përdortë si bar-kafe.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontinier, pa lejen e organeve kompetente.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Ora 10:27
Fier/ Zaptuan hapësirat publike në Seman, nisin hetimet për 3 persona

 

Policia e Fierit edhe sot ka vijuar aksionin për lirimin e hapësorave publike në vijën bregdetare të Semanit.

Tre persona do të hetohen në gjendje të lirë pasi kishin vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe atyre të Seksionit të Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në tre stacione plazhi në Seman, konstatuan se pronarët e këtyre subjektve, shtetasit E. F., 38 vjeç, R. Sh., 69 vjeç dhe Z. S., 56 vjeç, kishin zënë në mënyrë të paligjshme tre sipërfaqe toke publike, në të cilat kishin vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.

Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve E. F., R. Sh. dhe Z. S., për veprat penale “Pushtimi i tokës”, "Fshehja e të ardhurave" dhe "Ushtrimi i aktivitetit tregëtar i pa pajisur me kasë fiskale".

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • amir: 12/07/2025 12:13

    KESAJ I THONE GJEJ SHESH DHE BEJ PERSHESH.....RRACE E KEQE....GJOBE 10 MILIONESHE...DHE PO E BENE PER HERE TE DYTE BURG 3 VJET...JO ME LLAFE POR ME VEPRA....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?