Zjarri në Dukat të Vlorës nuk ndalet. Flakët, e ndihmuara nga era, kanë përfshirë kodrat me shkurre dhe pisha, dhe po i afrohen Parkut Kombëtar te Llogarasë.
Terreni i vështirë, era dhe nxehtësia e madhe e kanë bërë thuajse të pamundur ndërhyrjen nga toka. Report Tv ndoqi nga afër operacionin tejet të vështirë, ku zjarrfikësit punojnë me mjete rrethanore e kova uji.
Zjarrfikësi Luan Kapaj, pasi la spitalin sot gjendet në krye të ekipit.
“Sot përballemi me një situatë të vështirë... Zjarri po afrohet shumë pranë banesave. Po bëjmë të pamundurën për të ndaluar përhapjen drejt parkut”, thotë ai.
Stani i dhive në majë të malit është në kufijtë e djegies, fermeri i druhet me të keqes.
“Stani rrezikon të digjet. Bagëtitë s’kanë ku të shkojnë, i kam lëshuar në mal. Ka rënë që më datë 15, pushuan dy ditë flakët, ia nisën sërish”, thotë ai.
Në ndihmë kanë mbërritur dy avionë nga Greqia si dhe helikopteri ynë i FA. Operacioni ajror po vazhdon ne Dukat siç shihet në pamjet që sjell Report TV.
Beteja me flakët po zhvillohet dhe në veri të vendit, ku po digjet Parku Kombëtar i Lurës si dhe masivet pyjore në Shkopet e Ulëz. Sot nga Italia mbërriti një avion, Canadair, i cili po punon për shuarjen e flakëve në qarkun e Dibrës.
Për shkak të situatës kritike në Parkun e Lurës, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një mbledhje urgjente në Prefekturën e Dibrës, ku bëri me dije se zjarri nuk rrezikon zonat e banuara, megjithëse apeloi për vigjilencë, pasi siç u shpreh ai, ditët në vijim do të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta.
Në të gjithë vendin janë aktive 9 vatra zjarri, ndërsa janë djegur më shumë se 32 hektarë me pyje. Çdo orë është vendimtare për të shpëtuar çfarë ka mbetur.
Përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, BE-ja ka sjellë flotën e saj për të shuar zjarret ne Shqiperi. Tre aeroplanë Canadair gjenden ne operacion, ndërsa thekson se është e gatshme të ofrojnë më shumë mbështetje nëse do te jete e nevojshme.
Një vatër zjarri është ndezur mbrëmjen e sotme në pyjet e fshatit Mamëz, në njësinë administrative Ujmisht të Kukësit. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, ndërkohë që retë e dendura të tymit kanë mbërritur deri mbi qytetin e Kukësit.
Në vendngjarje janë angazhuar grupe të shumta pune, ku marrin pjesë punonjës të shërbimit zjarrfikës, të pyjeve, si dhe banorë të zonës. Për shkak të terrenit të thyer malor, nuk është e mundur ndërhyrja me automjete zjarrfikëse, ndaj përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e flakëve po kryhen me pompa shpine dhe mjete rrethanore.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi shkakun e zjarrit, ndërsa sipas burimeve paraprake, janë djegur disa hektarë me pyje dushku dhe bimësi të dendur.
Autoritetet lokale bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe bashkëpunim të qytetarëve, ndërkohë që situata mbetet e përkeqësuar për shkak të kushteve atmosferike me temperatura të larta.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një mbledhje urgjente në Prefekturën e Dibrës në lidhje me zjarret që kanë përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës prej 2 javësh.
Ministri i Mbrojtjes kërkoi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes të gjitha strukturave të përfshira dhe theksoi domosdoshmërinë që të përgatiten të gjitha materialet dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje efektive në terren.
Ai urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm koordinimi, i cili do të punojë me ekipe të ndara dhe turne, për të garantuar menaxhimin sa më të mirë të situatës emergjente deri në shuarjen e plotë të flakëve.
Situata tashmë është më e stabilizuar, sipas ministrit Vengu, i cili theksoi se zonat e banuara nuk janë në rrezik.
“Prej tashmë 2 javësh në mbarë zonën e Lurës kemi disa fronte zjarresh të përhapura në një hapësirë prej 100 hektarësh, dhe përballemi me disa vështirësi përsa i përket zonave malore dhe pyjore ku ka vështirësi aksesi. Në këto kushte, kemi bërë një mobilizim të forcave shtesë, sot kemi pasur ndërhyrje nga ajri edhe në bashkëpunim me forcat ajrore italiane brenda Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, çka ka mundësuar edhe uljen e intensitetit të vatrave përsa i përket liqeneve në veri, sikundër edhe në zonën në Zall Gjoçaj. Kemi marrë masa në mënyrë që nesër në orët e para të mëngjesit të kemi dislokim të forcave prej 100 personash në terren. Fatmirësisht kemi dhe një shuarje të zjarrit pas përpjekjeve të shumëfishta në Bulqizë, çka na jep mundësinë që të ridrejtojmë forcat në zonën e Lurës. Besoj do jemi në kushte të mira që nesër bashkë me forcën ajrore dhe forcat në terren të kemi një sigurim të një perimetri në mënyrë që të kufizojmë përhapjen. Lajmi i mirë është që janë jashtë rrezikut zonat e banuara”.
Ndërkohë, ministri Vengu ka bërë thirrje për kujdes dhe vigjilencë, pasi temperaturat do të jenë të larta edhe ditët në vijim, duke rritur rrezikun e zjarreve.
“Sot patëm edhe një emergjencë përsa i përket dy barinjve që gjendeshin afër zonave të zjarreve në Lurë, pas njoftimit pranë Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe forcat e bashkisë ndërhynë në kohë dhe mundësuan shpëtimin e tyre dhe të bagëtive të tyre dhe rikuperimin për t’i sjellë brenda një perimetri sigurie. Ky operacion u përmbyll me sukses dhe tashmë të gjitha përpjekjet janë përqëndruar në mënyrë që perimetri mos të zgjerohet më tej ditën e nesërme. Do jenë ditë të vështira, termometri tregon temperatura ekstreme për gjithë pjesën e mbetur të javës, siç është realitet dhe në gjithë rajonin e Mesdheut, ndaj kërkojmë vigjilencë maksimale, monitorim në kohë reale dhe njoftim në kohë reale. Gjithë banorëve të zonave rurale u kërkojmë që të zbatojnë udhëzimet e Prefekturës, të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për masat mbrojtëse që të evitojnë kullotjen e bagëtive në zona me risk gjatë kësaj periudhe”.
Nga ana tjetër, Prefekti i Qarkut Kukës informoi se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, duke rrezikuar seriozisht mjedisin dhe biodiversitetin.
Përfshihet nga zjarri edhe pylli i fshatit Leminot, pjesë e bashkisë së Maliqit. Sipas informacioneve të siguruara deri më tani, zjarri ka disa minuta që ka rënë dhe po djeg një sipërfaqe pyjore.
Në terren ndodhen forcat e zjarrfikëses së Maliqit, forca vullnetare me banorë të zonës, po ashtu edhe bashkia e policia e shtetit. Nuk dihet nëse është zjarrvënie e qëllimshme, pritet të mësohet në vijim pasi momentalisht po ndërhyhet për të izoluar zjarrin.
Zjarri që shpërtheu të shtunën në pyjet e Labinot Malit ka avancuar drejt bashkisë Librazhd, duke përfshirë zonat pyjore të Gurakuqit dhe Orenjës.
Ekipet e MZSH Librazhd janë në terren prej orësh, me mjete të posaçme, duke punuar për izolimin e flakëve. Terreni i vështirë ka penguar hyrjen e automjeteve të mëdha.
Autoritetet po përdorin dronë për të monitoruar situatën dhe u bëjnë apel banorëve të shmangin çdo veprim që mund të nxisë përhapjen e zjarrit dhe të raportojnë çdo vatër të re.
Deri në orën 14:00, janë raportuar 13 vatra zjarri në gjithë vendin. Nga këto, 3 janë shuar, 9 janë ende aktive dhe 1 vatër është nën monitorim. Situata më problematike paraqitet në qarkun e Dibrës, në Parkun Kombëtar të Lurës, po zjarri po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, pranë Liqenit të Zi dhe në fshatin Gurë-Lurë.
Në Mat është aktive vatra në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, ku po ndërhyjnë forcat operacionale dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me ndihmën e një avioni Canadair nga Italia. Në Bulqizë, po monitorohet zjarri në fshatin Strikçan.
Në qarkun e Vlorës, zjarri mbi fshatin Dukat ka marrë përmasa të mëdha dhe po ndihmohet nga era. Flakët kanë prekur edhe kurorën e pyjeve me pisha. Në terren janë angazhuar 30 ushtarakë, një helikopter i FA-së dhe dy avionë Canadair nga Greqia.
Edhe në Elbasan, në zonën e fshatit Shmil, një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë pyje me gështenja në një terren të vështirë. Në Shkopet, flakët janë përhapur në territorin e tre bashkive (Kurbin, Mat, Mirditë) dhe ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave.
Në Korçë, zjarret vijojnë në Devoll dhe Bulgarec, ku era ka favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të kufirit me Kapshticën. Ndërkohë, në Përmet, në zonën e Piskovës, po vijon puna për shuarjen e flakëve në kushte të vështira terreni.
Në total janë angazhuar 21 mjete zjarrfikëse, 519 forca operacionale, 190 trupa të FA-së me 19 mjete, 1 helikopter dhe 3 avionë Canadair (2 nga Greqia dhe 1 nga Italia). Situata mbetet nën vëzhgim dhe autoritetet janë të angazhuara në çdo vatër.
Një ditë më parë u ndje keq pasi u asfiksua nga tymi në Dukat të Vlorës, ndërsa sot ka dalë sërish në terren për të luftuar me flakët e zjarrit.
Zjarrfikësi i Vlorës, Luan Kapaj, mori mjekim në spital ditën e djeshme, ndërsa sot e takojmë sërish në terren në malësinë e Dukatit në Vlorë.
Gazetari i Report Tv, Armand Xhelilaj, që ndjek nga afër së bashku me zjarrfikësit punën e tyre në terren për të fituar zjarrin në Dukat, ka mundur t’i shkëpusë një intervistë të shkurtër Luan Kapajt.
Ai thotë se shpëtuan nga zjarri një stan bagëtish në zonën e Dukatit, që rrezikohej seriozisht nga flakët e zjarrit, pasi favorizoheshin edhe nga era e fortë.
Zjarrfikësi Luan Kapaj: Situata ku ndodhemi tani ishte shumë e vështirë sepse era e fortë që filloi në këto momente rrezikoi stanin. Me zjarrfikësit, punonjësit dhe banorët bëmë të mundur që të izolojmë flakët dhe mos të marri përmasa, e të mos dëmtohet ky stan, sepse është i vetmi biznes i tyre që ushqehen gjithë punonjësit.
Si duket situata? Rrezikojnë banesat e Parkut të Llogarasë?
Zjarrfikësi Luan Kapaj: Për momentin janë pozicionuar shumë mjete zjarrfikëse, forcat zjarrfikëse, forcat e ushtrisë dhe për momentin nuk mendoj se do rrezikojnë banesat, por zjarri ka arritur në kufirin maksimal dhe ne e kemi ndërprerë për momentin këtu, por zjarri vazhdon në krahun jugor të Parkut të Llogarasë. Ditët në vazhdim të shikojmë se si do eci nëpërmjet erës, terrenit, bimësisë shumë të dendur, që ndikojnë në përhapjen e zjarrit.
Ditën e djeshme keni qenë në spital, patët debulesë dhe lodhje nga puna. Jeni sot prapë në punë. Çfarë ju jep forcë?
Zjarrfikësi Luan Kapaj: Ne këtë profesion kemi zgjedhur dhe jemi të detyruar që nuk mund t’i lëmë forcat zjarrfikëse pa i drejtuar në këtë situatë të vështirë. Kemi hasur vështirësi, sepse temperatura e lartë, terreni i vështirë, orët e zgjatura, ndikojnë në shëndetin e njeriut, kështu që jemi të detyruar, e pavarësisht se morëm ndihmën mjekësore dhe i falenderojmë për shpejtësinë që na kanë ardhur, përsëri duhet të jemi këtu në terren me forcat zjarrfikëse e forcat e ushtrisë, për të dhënë kontributin e për të punuar në drejtim të fikjes së zjarrit.
Një ditë më parë, ai dhe dy kolegë të tij morën mjekim në Spitalin e Vlorës pasi u ndjenë keq gjatë punës për të fikur zjarrin.
Vatra e zjarrit në Dukat të Vlorës u aktivizua për herë të parë para më shumë se 10 ditësh. Nga dita e djeshme, në ndihmë të forcave shqiptare edhe dy avionë zjarrfikës nga Greqi, pasi qeveria aktivizoi Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Prej disa ditësh vijon zjarri në malin e Dukatit. Report Tv me gazetarin Armand Xhelili po ndjekin nga afër situatën, ndërsa situata është përkeqësuar dhe flakët kanë avancuar në drejtim të një stani, fare pranë shtëpive. Bashkë me forcat zjarrfikëse, janë bashkuar në ndihmë të zjarrfikësve edhe banorë të zonës për të shuar flakët.
Ndërkohë po punohet edhe nga ajroi për të shuar flakët, me helikopter dhe dy avionë të ardhur në ndihmë nga Greqia. Flakët rrezikojnë edhe Parkun e Llogarasë, ndërsa ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit. Një banor i zonë si tha Report Tv se flakët vijojnë prej 15 ditësh, ndërsa i rrezikohen bagëtitë e shtëpitë.
“Ka që më datë 15, ka pushuar 2-3 ditë, është aktivizuar prapë. Ne rrezikojmë bagëti. Rrezikohet shtëpitë e të gjitha.
Luan Kapaj, njëri nga zjarrfikësit që mbeti i lënduar teksa po punonin për shuarjen e flakëve të zjarrit në malin e Dukatit në Vlorë, është rikthyer në terren pavarësisht vështirësive të ditës së djeshme.
Në një intervistë për Report TV nga terreni, ai theksoi se situata sot paraqitet e vështirë për shkak se era mund të përhapë flakët drejt disa banesave dhe staneve në fshat.
“Sot përballemi me situatë të vështirë, se terreni i thepisur, bimësia e dendur, era, përhapja në mënyrë të pakontrolluar na bën që të mos lokalizojmë këtë vatër zjarri që të mos vazhdojë në drejtim të parkut të Llogarasë. Zjarri nuk është shumë afër parkut, por bën të mundur që mund ta çojë dhe brenda parkut. Aktualisht jemi në krye të fshatit se zjarri tenton të kapë edhe banesa dhe stan me bagëti.”, tha ai.
Zjarri me përmasa të mëdha vazhdon në malin Dukat të Vlorës, ndonëse prezentë janë edhe dy avionë të ardhur nga Greqia. Gazetari Armand Xhelili raporton se flakët po shkojnë në drejtim të disa banesave dhe Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Mekanizmi i Mbrojtjes civile të BE bëri një përditësim të angazhimit të tij në ndihmë të Shqipërisë dhe autoriteteve tona në luftën me zjarret. Mekanizmi evropian, shpërndau edhe pamje të marra nga ajri dhe thekson se avionë grekë dhe italianë të flotës së saj zjarrfikëse, janë angazhuar për shuarjen e zjarreve në Dibër dhe Vlorë. Në përfundim të postimit në rrjetin social X thuhet se Mekanizmi i BE për mbrojtjen civile mbetet i përkushtuar të japë ndihmë të mëtejshme nëse do të jetë e nevojshme.
??? Wildfires in Albania:
— EU Civil Protection & Humanitarian Aid ?? (@eu_echo) July 22, 2025
The EU mobilised its #rescEU firefighting fleet to help put out the fires in the Vlora and Dibër counties.
Three #rescEU planes from Greece ?? and Italy ?? are operating in the area.
We stand ready to offer more support if needed. pic.twitter.com/7SM2coVGDP
Një tjetër vatër zjarri në malin e Sofraçanit në njësinë administrative Zerqan me një përhapje goxha të madhe.
Cërrik- Ndezi zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën një sipërfaqe toke me ullinj dhe pyll, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë 64-vjeçari i dyshuar.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shegas, kurse Policia e Cërrikut njoftoi sot se ka zbardhur dinamikën dhe autorësinë, teksa identifikuan dhe arrestuan në flagrancë H. M., 64 vjeç, banues në këtë fshat.
“Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me pemë ulliri dhe një sipërfaqe pylli, në total rreth 40 ha”, bëri me dije policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm”, mbyllet apeli i Policisë së Elbasanit.
Policia publikoi edhe pamjet e aksionit për shuarjen e flakëve në këtë zonë, teksa për ndihmë nga ajri ka shkuar edhe një helikopter i ushtrisë.
Gjirokastër- Zjarr në afërsi të “Varrezave të Dëshmorëve” në Gjirokastër. Zjarrfikëset ndërhyjnë në kohë duke eliminuar rrezikun tek banesat e pranishme.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, kur flakët u konstatuan në oborrin e një banese, nga ku po digjeshin mbeturina. Zjarri paraqiste rrezik në përhapjen në drejtim të banesave përreth.
Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme, për izolimin dhe më pas shuarjen e plotë të zjarrit.
Gazetari i report Tv, Piro Nase, informon se nuk janë shënuar dëme materiale apo të lënduar. Për shkak të ndezjes së qëllimshme të mbeturinave në kundërshtim me ligjin, banori qe ndezi zjarrin ne oborrin e vet është kallëzuar penalisht nga policia vendore.
Lezhë- Zjarri i rënë prej tre ditësh në zonën e Shkopetit në Kurbim vijon të jetë aktiv dhe që prej mesditës të së hënës ka kaluar edhe në territorin e Bashkisë Mirditë, duke ju afruar fshatit Lurth.
Flakët janë përhapur në një perimeter të gjerë, ndërsa në terren po punohet intensivisht në të dy anet për vënien në kontroll të këtij zjarri.
Gazetari i Report TV, Elvis Hila, informon se në zonën e Shkopetit janë forcat e Bashkisë Kurbin që mbështeten nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në territorin e Mirditës, janë angazhuar forcat bashkiake.
Gjatë datave 20 dhe 21 korrik, në operacion ka marrë pjesë edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili ndërhyri nga ajri, por pa arritur të shuajë flaket. Ndërkohë sipas të dhënave paraprake, zjarri ka përfshirë deri më tani rreth 123 hektarë sipërfaqe pyjore, ndërsa era e fortë në zonën e Grykës së Shkopetit, kryesisht gjatë orëve të mesditës të së hënës, ka ndihmuar përhapjen e flakëve, duke e vështirësuar më tej ndërhyrjen në terren.
Autoritetet mbeten në gatishmëri dhe apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët në zonat e pyllëzuara dhe malore, pasi temperaturat pritet të pësojnë sërish rritje.
Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive dhe 1 është në monitorim.
Ndër zonat më problematike është Parku Kombëtar i Lurës, ku zjarri po vijon në tre vatra mbi fshatin Gurë Lurë, liqenin e zi dhe Fushën e Pelave. Ndërhyrja është bërë me forca tokësore dhe një avion Canadair nga Italia.
Një tjetër vatër e madhe është në Dukat të Vlorës, ku për shkak të erës situata është përkeqësuar dhe ndërhyrja po bëhet me dy avionë të dërguar nga Greqia, një helikopter të Forcave të Armatosura dhe trupa të shumta në terren.
Zjarre aktive mbeten edhe në Shmil të Elbasanit, Zall Gjoçaj të Matit, në rrugën Shkopet-Burrel, si dhe në disa zona malore të Korçës, Devollit dhe Përmetit. Ndërkohë, një vatër në Strikçan të Bulqizës është futur në fazë monitorimi nga shërbimi zjarrfikës lokal.
Në total, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 684 forca operacionale, 51 automjete zjarrfikëse, 185 forca të ushtrisë me 19 mjete dhe 2 helikopterë.
Korçë- Bie intensiteti i zjarreve në dy vatrat aktive në qarkun e Korçës.
Situata për zjarrin më problematik të rënë në fshatin vërnik të Devollit paraqitet më e qetë ditën e sotme, sipas informacioneve që vijnë nga Emergjencat lokale.
Prej orës 05:00 të mëngjesit janë duke punuar 75 forca nga MZSH, shërbimi pyjor e publik.
“Besojmë që të neutralizohen, në rast se nuk do ketë riaktivizim prej erës dhe temperaturave përsëri të larta që priten edhe sot”, thanë zyrtarët lokalë.
Kurse në vatrën e dytë, zjarrin në Dishnicë të Korçës, prej mëngjesit janë aktivizuar 55 forca nga MZSH dhe shërbimi pyjor e publik. Distanca është e largët dhe terreni i thepisur e në lartësi.
Vatrat e zjarrit janë të favorizuara nga era, si dhe dendësia e bimësisë së shumëllojshme, teksa vijon operacioni për shuarjen e plotë.
Komente

Merremi me tenda, nderkohe siguria zero nga zjarri apo termet apo tjeter.
PërgjigjuKryeministri mos te dale ne rrjete sociale dhe te mashtroj por te blej disa aviona per fikjen e zjarreve dhe nuk ka pse te paguaj shifra marranendese per ti mare me qera
PërgjigjuPo a nuk osht ma mire qe mos me vu zjarre se e dogjem ket ven or popull?po i bojm keq vetes o Rob..kryeministri kryeministri po ca te boje ne ky i shkreti kur ne popull me bisht ja vejme flaken vetes?
Po blini nje avion mos ja jepni leket Toni Bler
Përgjigju