Vlorë-Policia e Vlorës ka vënë në pranga 3 persona, të akuzuar për vjedhje. Policia ka dokumentuar 2 raste të vjedhjes dhe 1 rast tentativë për vjedhje, nga këta persona, ku 2 prej tyre janë me precedentë në fushën e vjedhjes.
Sipas policisë, në pranga është vënë një 34 vjeçar, me inicialet O. R, pasi i ka vjedhur me dhunë celularin një shtetaseje, dhe ka tentuar t’i vjedhë me dhunë çantën e krahut një të miture.
Po ashtu, në pranga janë vënë edhe një 46 vjeçar me inicialet G.K dhe 35 vjeçari me inicialet A. H, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur rreth 1500 kg ullinj në banesën e një personi në qytetin e Vlorës.
‘U arrestuan shtetasit O. R., 34 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, pasi dyshohet se më datë 13.11.2024, i ka vjedhur me dhunë celularin një shtetaseje, ndërsa më datë 23.10.2024, në lagjen “Hajro Çakërri”, ka tentuar t’i vjedhë me dhunë çantën e krahut, një shtetaseje të mitur; G. K., 46 vjeç dhe A. H., 35 vjeç, të dy banues në Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 08.11.2024, kanë vjedhur rreth 1500 kg ullinj në banesën e një shtetasi në Vlorë’ njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.