Vlorë- Policia ka nisur hetimet për një 44-vjeçar i cili kishte zaptuar një hapësirë publike, në qytetin e Vlorës.
44-vjeçari e kishte kthyer hapësirën në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, lagja “10 Korriku, në parkim privat, duke vendosur trarë elektrikë dhe tabela.
Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe Emiljano Ismailaj, drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare si dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në mbështetje dhe të Policisë Bashkiake, kanë kryer kontrolle në terren me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe të shfrytëzuara si parkime private kundrejt pagesës.
Gjatë kontrolleve, në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, në lagjen “10 Korriku”, u evidentua një rast ku në hapësirën publike ishin vendosur tabela dhe trarë elektrikë për ta shfrytëzuar si parkim privat me qëllim përfitimin e të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. F. (M)., 44 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në mbështetje të Policisë Bashkiake, automjetet e parkuara në këto hapësira u tërhoqën me karrotrec, me qëllim lirimin e hapësirës publike.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin E. I., 30 vjeç, me detyrë drejtor i Policisë Bashkiake Vlorë, i cili dyshohet se nuk ka kryer detyrën për të ndaluar këtë rast të paligjshmërisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë mbetet e angazhuar për garantimin e hapësirave publike dhe nuk do të tolerojë asnjë rast shfrytëzimi të tyre në mënyrë të paligjshme. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112.
Komente

PËRFUNDIMISHT VITI 2025 ME KTO QËNIE Ç'NJERZORE SHQIPËRIA NUK BËHET..... MË VJEN KEQ PËR EVROPËN....
Përgjigju