Kronikë

PAMJET termike/ Digjet prej 5 ditësh mali i Dukatit në Vlorë, po punohet për shuarjen! Çako: S’ka rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë (VIDEO)

9 Korrik, 08:33| Përditesimi: 9 Korrik, 13:55

  • Share

VLORË- Prej pesë ditësh zjarri në Dukat të Vlorës vijon të jetë ende aktiv. Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon me intensitet të lartë, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve drejt jugut, ku ndodhet Parku Kombëtar i Llogarasë, një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike dhe turistike.

Në terren janë angazhuar forcat e Ushtrisë nga Batalioni i Parë i Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, në bashkëpunim me strukturat zjarrfikëse dhe emergjencat civile. Forcat janë organizuar në katër grupe taktike përgjatë vijës së zjarrit, duke vepruar në koordinim të plotë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.

Në terren për të inspektuar situatën ishte edhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako. Ndërsa ka parë nga afër situatën, Çako ka theksuar se të gjitha strukturat janë në terren, duke nisur nga forcat zjarrfikëse, të mbrojtjes civile, por edhe pushteti vendor. Parku Kombëtar i Llogarasë, për momentin, nuk rrezikon – ka theksuar Çako, ndërkohë që edhe helikopteri është në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme.

Forcat në terren janë në gatishmëri të plotë, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm për të shmangur çdo përkeqësim të mundshëm. Ministria e Mbrojtjes njofton se në të gjithë vendin janë 4 vatra aktive. 

lajm ne perditesim...

 

Ora 09:54
Zjarret në vend/ Mbrojtja: Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra, 4 ende aktive

1751888683_zjarrindukat.JPG

Foto nga zjarri në Dukat

Ministria e Mbrojtjes në lidhje me situatën e zjarreve në vend ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra, ku 4 prej tyre janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Finiq, Vau i Dejës, Poliçan, Dimal, Skrapar, Bulqizë, Dibër, Kavajë, Tiranë, Korçë, Librazhd, Fier, Kurbin dhe Kukës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Orikum, bashkia Vlorë - Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Aktualisht po operojnë në terren: 7 forca zjarrfikëse, 4 punonjës të Shërbimit Pyjor, 7 forca bashkiake, 40 forca ushtarake dhe helikopteri Cougar.

Poliçan - Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, ku për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, zjarri u përhap me shpejtësi. Rreziku për banesat u eliminua. Sot në terren ndodhen 7 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse të MZSH Poliçan dhe 5 forca të Shërbimit Pyjor.

Bulqizë - Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja. Zjarri është me intensitet të ulët dhe nuk përbën rrezik për përhapje të mëtejshme. Janë evidentuar 3 vatra të ndara. Në operacion janë përfshirë 2 automjete zjarrfikëse me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca të Shërbimit Pyjor dhe 3 vullnetarë. Sipërfaqja e djegur vlerësohet rreth 17 ha.

Dibër - Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe livadh. Për shkak të erës së fortë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar një pjesë të madhe të parkut. Aktualisht nuk ka rrezik për zona të banuara. Në terren janë angazhuar 5 forca të AdZM, 6 zjarrfikës të MZSH Dibër, 5 forca bashkiake, 15 vullnetarë si dhe helikopteri Cougar.

Raste të tjera të evidentuara:

Në fshatin Ndroq, Tiranë, u dogj një banesë 2-katëshe si pasojë e një zjarri.

Në fshatin Mbrostar, Fier, zjarri përfshiu një hangar me bazë ushqimore për blektorinë, duke shkaktuar ngordhjen e rreth 75 deleve dhe dëmtimin e lehtë të pronarit. Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.

Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 24 hektarë bimësi.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 31 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca, përfshirë Forcat e Armatosura me 60 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe helikopterin Cougar në dy vatra zjarri.

Parashikimi i motit dhe rrezikut nga zjarret:

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta.

Sa i përket zjarreve:

Nivel rreziku “I ULËT” në qarkun Shkodër

Nivel rreziku “I MODERUAR” në qarkun Kukës

Nivel rreziku “I LARTË” në qarqet e tjerë

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

Thirrje për qytetarët:

Lutemi që të shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në natyrë, të denonconi menjëherë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve dhe të bashkëpunoni me strukturat shtetërore për mbrojtjen e jetës, pronës dhe natyrës sonë të përbashkët. Kujdesi juaj shpëton jetë!

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?