TIRANË - Në pranverë pritet të jenë gati shtëpitë e para nga procesi i rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare pret që banesat e para të vihen në jetë nga inxhinierët turk, pas premtimit të presidentit Recep Tayyip Erdogan për të ndërtuar 500 njësi banimi. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e ftuar në Report Tv, tha se këto banesa do të ndërtohen në zonat rurale, ndërsa aktualisht qeveria po gjen territorin e duhur, pronat shtetërore të përshtatshme për lagjet e reja urbane që do të lindin gjatë procesit të rindërtimit.
"Ndërtesat e para i presim që në pranverë. Për në zonat rurale, qeveria turke ka ofruar donacion në natyrë për 500 banesa...Po kërkojmë sheshe pronë shtetërore, dhe që do të jenë vende me plane urbane të mirëfillta", tha ajo. Ashtu siç edhe vetë të prekurit nga tërmeti janë shrpehur, ata nuk duan më të jetojnë mbi kujtimet e rrënojave që morën jetën e të afërmve, miqve e fqinjve të tyre. Në Thumanë - tha Voda - pritet të ketë sipërfaqe të gjelbra në shërbim të komunitetit.
Teksa fatura financiare e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit pritet të jetë gati në fillim të janarit, zv.ministrja e Brendshme, Voda, e cila ka ndjekur nga afër situatën në qarkun e Durrësit, thotë se po vijohet edhe me procesin e rregullimit të dëmeve në banesa nga vetë qytetarët, ku janë vetëm çështje suvaje, dhe nga ndërtuesit, për dëmet e mëdha në pallate.
"Janë mbi 200-300 apartamente që qytetarët kanë bërë vetëdeklarim në njësitë administrative, për t'i bërë vetë këto riparime të lehta, ndërkohë për dëmtime më të rënda, kërkohet leje e mirëfilltë", tha Voda. Deri më tani leja është dhënë për 13 ndërtues, ndërkohë që janë mbi 30 firma që kanë aplikuar në bashki për leje për të riparuar dëmet në pallatet e tyre.
"Deri tani kemi të miratuara 13 leje ndërtimi me të gjitha kriteret, me projekt të mirëfilltë. 3 deri në 5 muaj është koha për rikonstruksionin", tha Voda e ftuar në studion e Report Tv me moderatoren Elda Lamja.
Familjet e mbetura jashtë, të cilat aktualisht strehohen në hotele apo në çadra në zonat rurale, mund të marrin bonusin e qirasë edhe pa pasur një kontratë qiraje. Qeveria e ka hequr këtë kriter të përfitimit të bonusit, ditët e fundit.
"Tregu privat reagoi direkt që fitimin e sheh si pjesë të vetvetes, duke rritur çmimet e qirasë, ne menduam të reagojmë, të gjejmë zgjidhje mes disnivelit, ofertës së tregut, dhe kërkesës së qytetarit. si kriter për bonusin kishim kontratën e qirasë, nuk ka një javë kur ne menduam ta hiqnim si kriter, se kështu lehtësojmë edhe pjesën e mekanizmit të tregut, që duke e vënë qytetarin para kushtit për të marrë bonusin. lekët derdhen direkt në llogarinë bankare", tha Voda, duke thënë se vlera totale e bonusit të qirasë është 50 milionë lekë me një kohëzgjatje 12-18 muaj, dhe se në 2020-ën do të rishikohet buxheti, për tu shtuar vlera.
Në terren ka ende verifikime nga grupe ekspertësh dhe inxhinierësh të huaj për të vendosur vulat e fundit, në objekte që duhen shembur ose jo.
Fatura e saktë financiare për dëmin pritet të dalë në janar për të ditur si do të shpenzohen edhe 20 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për rindërtimin, por edhe donacionet. Kujtojmë se në janar pritet të mblidhet konferenca e donatorëve e organizuar nga Komisioni Europian.