SARANDË- Pesë persona janë arrestuar nga policia e Vlorës, pasi kanë vjedhur me një anije peshkimi, një mjet lundrues tip veliere që ishte vendosur në sekuestro në muajin qershor të këtij viti.
Policia ka vënë në pranga shtetasit: Andon Nako, 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit; Abdou Elzantawy, 55 vjeç ,Samir Ghonim, 40 vjeç, Mohamed Elshamy, 43 vjeç dhe Ibrahim Aboushahin,34 vjeç, të katërt shtetas egjiptianë, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes së peshkimit që tërhoqi mjetin lundrues veliere nga vendi ku ishte lënë në ruajtje nga Policia Kufitare.
Sipas bluve të Vlorës, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur mjetin lundrues tip veliere të sekuestruar nga policia, që ndodhej i bllokuar në portin e Limionit, me pretendimin se kjo veliere ishte pronë e tyre.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë/Gjirokastër) ka nisur hetimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, pas nuk ka marrë masa për ruajtjen e mjetit veliere të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.