Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen është pritur mëngjesin e kësaj të hëne në Presidencë nga Bajram Begaj. Diplomatja evropiane la edhe një shënim në librin e përshtypjeve, ndërsa më pas pritet të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.
Presidenti Begaj ka zbuluar edhe fokusin e bisedës me Von der Leyen. Begaj shkruan se integrimi në BE është misioni ynë kombëtar dhe jemi të angazhuar për të zbatuar të gjithë detyrat. Begaj shprehet se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe do të vazhdojë të kontribuojë aktivisht në misionet evropiane për paqe dhe siguri.
“Sot, me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksova se integrimi në BE është misioni dhe interesi ynë kombëtar, ëndrra jonë 35-vjeçare që bashkon brezat dhe shoqërinë tonë, ndaj jemi të angazhuar për të bërë të gjitha reformat jo thjesht si detyra, por në përfitim të mirëqenies dhe begatisë së shqiptarëve.
Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe do të vazhdojë të kontribuojë aktivisht në misionet evropiane për paqe dhe siguri. Anëtarësimin nuk e konsiderojmë dhuratë, por të bazuar në meritë dhe si një investim në stabilitetin dhe forcën e vetë Evropës”, shkruan Begaj.
Von der Leyen ndodhet në Tiranë në kuadër të Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që do zgjasë dy ditë dhe marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
I mbështetur nga Komisioni Evropian, ky Forum është pjesë e strategjisë më të gjerë të BE-së për të promovuar integrimin rajonal dhe konvergjencën socio-ekonomike, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë rajonin.
Lajmi kryesor:
Von der Leyen në Tiranë: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE, progres rekord me negociatat! Rama: Po ecim me shpejtësi, mbyllim kapitujt brenda 2027 (VIDEO)
Xh.D/I.M/ReportTv.al
