Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka dhënë detaje nga nisja e procesit të regjistrimit të diasporës për të votuar në zgjedhjet parlamentare 2025. Në një konferencë për mediat, Celibashi shpjegoi me detaje se si do të funksionojë regjistrimi, i cili është i hapur nga sot deri më 4 mars.
“Është në funksion që prej orës 00:00. Mund të regjistrohen përmes platformës PER, duke aksesuar nga faqja e KQZ ose aplikacioni KQZ. Kur shkon të rubrika votues nga jashtë, aty do tu shfaqen tre butona, një fton për tu futur në PER, tjetri ka të dhënat për regjistrimin dhe butoni 3 nëse ka nevojë për më shumë sqarime. Mandej duke u futur në PER, votuesi nga jashtë mund të realizojë procesin e aplikimit, ka një buton ndihmë që pa filluar procesin të kërkojë asistencë ose duke pyetur përmes një sistemi chatbot, mund të telefonojë një operator të KQZ, telefonata është me pagesë, munda të komunikojë përmes WhatsApp dhe mund ti dërgojë email KQZ. I gjithë ky proces sikurse realizohet nga faqja e KQZ, mund të realizohet edhe përmes aplikacionit të KQZ”, tha Celibashi.
Për votuesit nga jashtë të cilëve mund t’u refuzohet kërkesa për t’u regjistruar pasi nuk kanë plotësuar kriteret, Celibashi thekson se nuk do ketë penalizime, por ata do mund të ripalikojnë sa herë të duan deri në datën e afatit të fundit, 4 marsi.
Deri në 4 mars ata mund të riaplikojnë sa herë të duan. Nëse kërkesa u refuzohet për çfarë do lloj arsye, mund ta riparaqesë kërkesën sa herë të dëshirojë deri më 4 mars.
“Deri më datë 4 mars çdo gjë është e mundur. Pas datës 4 mars, nëse një prej zgjedhësve gjendet në listën nga jashtë, dhe nuk do të votojë nga aty, ka një mënyrë për ta adresuar, do i kërkohet Gjendjes Civile ku ka bashkinë për t’iu përfshirë në listën e zgjedhësve brenda vendit.
“Nëse është me vendqëndrim, jashtë territorit të Shqipërisë dhe ngarkon një dokument që e lidhet me adresën që ai ka deklaruar do të regjistrohet, nëse nuk përmbush kushtet nuk regjistrohet. Kushti që lidhet me pranimin ose jo të kërkesës ka të bëjë më ngarkimin e një dokumenti që lidhet me adresën që ai deklaron në sistem. Për ligjin mjafton që të konsiderohet votues nga jashtë”, vijoi Celibashi.
Celibashi garanton se kanë marrë masat që s’do kenë asnjë problem me aplikacionin PER, ku regjistrohen votuesit nga jashtë.
“I kemi marrë masat, në vlerësim tonë s’do ketë asnjë problem dhe jemi të organizuar nga pikëpamje teknike dhe njerëzore për të përballuar të gjitha flukset e mundshme. Fakti që kërkesat kanë ardhur nga kontinente të ndryshme, do të thotë që sistemi i përgjigjet mirë çdo lloj kërkese pavarësisht se ku është aplikanti. Kjo është provë që sistemi që kemi ndërtuar është solid nga pikëpamje teknike dh e sigurisë. Jemi në bashkëpunim 24/7 me institucione të tjera shqiptare për t’iu përgjigjur çdo lloj risku të mundshëm”, tha Celibashi.
Ata që kanë probleme me regjistrimin, mund të kërkojnë ndihmë nga KQZ përmes telefonatës, por është me pagesë, ose komunikim në WhtasApp, email ose në dispozicion të tyre është vendosur një chatbot që u përgjigjet për të gjitha pikëpyetjet që kanë.
“Thuajse 99% prej tyre ka qenë komunikim me Whatsap, ndërkohë mund të përdorin shumë mirë edhe chatbot, kemi përfshirë të gjitha pikëpyetjet që mund ë ketë votuesit nga jashtë, jemi duke ngarkuar edhe tutoriali përkatës për secilin nga tre mënyrat e aplikimit në PER”, vijoi Celibashi.
Për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi, Celibashi sqaron se në rastet kur mund të përballen me dokumentet në gjuhë si arabe, kineze, rusishte etj, do të kërkojnë ndihmën e përkthyesve.
“Për çdo dokument që do të ngarkohet dhe s’kemi mundësi që ta lexojmë se është një ndër gjuhet e rralla, jo një nga gjuhët me të cilën ne jemi familjar, do të ftojmë një përkthyes të asaj gjuhe për të na shpjeguar përmbajtjen e atij dokumenti”, vijoi Celibashi.
Lajmi kryesor:
Vota historike për zgjedhjet! Nis regjistrimi i diasporës, aplikojnë mbi 900 emigrantë! Kryeson Italia e Gjermania, dominojnë burrat me 80%
SI.E./r.k./ReportTv.al