Politikë

Fletë votimi gjigande për zgjedhjet e 11 majit, Celibashi i papërgatitur: Nuk e di si do ia bëjmë nëse 25 subjektet sjellin kandidatë

7 Mars, 10:19| Përditesimi: 7 Mars, 13:54

  • Share

TIRANË- Fleta e votimit në qarkun e Tiranës, po bëhet një kokë dhembje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Formati i parashikuar, me përmasat 60 me 40 cm, ka vend vetëm për 8 subjekte zgjedhore, por aktualisht të regjistruara janë 25 të tilla. Ilirjan Celibashi tha se KQZ nuk është bërë gati për një skenar të tillë.

Në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara të 2021, kësaj radhe emrat e të gjithë kandidatëve deri më tani është parashikuar që të jenë të shkruar në listë ‘emër mbiemër’ dhe jo me numra. Pikërisht për ketë skenar, duket se KQZ është e papërgatitur.

“Fleta siç e kemi prezantuar është shumë e madhe. Vështirësi për organizimin dhe menaxhimin. Nuk di të them si do t’ia bëjmë nëse të 25 subjektet ia dalin të sjellin kandidatë. Nuk jemi përgatitur për këtë skenar”, tha Celibashi.

KQZ ka krijuar këtë fletë votimi si më poshtë, me përmasa me lartësi 40 cm dhe gjerësi 60 centimetra. Ky model paraprak i Qarkut të Tiranës ka hapësirë për 7 subjekte dhe kandidatët e pavarur. Por, nëse 25 subjektet dorëzojnë të gjithë kandidatë, kjo fletë më këto përmasa është e pamjaftueshme dhe KQZ ende nuk e ka një skenar. 

Nga këto 25 subjekte, 3 koalicione dhe 5 parti janë thuajse të sigurta që do të jenë në fletën e votimit, pasi do të dorëzojnë secila nga 186 emra kandidatësh për të gjithë vendin. Ndërkohë 17 partitë e tjera, dyshohet se mund të dështojnë ta përmbushin këtë detyrim ligjor. Edhe kaq sa është, fleta e votimit për Tiranën, konsiderohet nga KQZ e vështirë për tu menaxhuar.

Model paraprak i fletës së votimit për qarkun e Tiranës, që nxë vetëm 7 subjekte dhe hapësira për kandidatë të pavarur

Një fletë e tillë do të komplikonte edhe transportin e saj me postë në diasporë. 52 mijë votues të regjistruar i takojnë qarkut Tiranë, dhe fleta kaq e madhe do të jetë e vështirë për tu paketuar në zarfe pa u dëmtuar. Dërgimi në diasporë do të kryhet në datat 8-16 prill. 50 € është llogaritur vajtje-ardhje kostoja e postës për një votë.

Mbyllet regjistrimi i diasporës

Sa i takon votës së diapsorës, janë 245, 975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që janë regjistruar për të pasur mundësinë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit. Celibashi tha se nga datat 8-16 prill do u niset zarfi emigrantëve, që do jetë falas si dërgimi dhe kthimi i postës. Shqiptari me moshë më të mëdha që është regjistruar onlinë është një shtetas shqiptar në moshën 98 vjeçare me banim në Gjermani. Ndërkohë një person arriti të regjistrohej pasi aplikoi 25 herë. 

A ka shans të dytë për 48 mijë të refuzuarit?

Celibashi: Jo nuk mund të bëhet asgjë.  Pas datës 9, ka 48 orë kohë për saktësim adresave vetëm për ata që janë regjistruar. Në datën 9 mars shpallet lista paraprake. Nëse shikon pasaktësira lidhur me adresën, qytetari jashtë Shqipërisë mund të paraqesë kërkesë për të saktësuar adresën.

LISTA E SUBJEKTEVE TË REGJISTRUARA PËR ZGJEDHJET E 11 MAJIT
Koalicione
1.    Koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore   Sali Berisha
2.    Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”                            Adriatik Lapaj
3.    Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”                                Dashamir Shehi
”Parti serioze”
1.    Partia Socialiste                             Edi Rama
2.    Partia Social Demokrate                         Tom Doshi
3.    Partia Mundësia                             Agron Shehaj
4.    Partia “Lëvizja Bashkë”                         Arlind Qori
5.    Partia “Koalicioni Euroatlantik”                         Lulzim Basha
Parti “fantazmë”
1.    “Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë”;
2.    “Partia Unitetit Kombëtar”; 
3.    Partia Lëvizja “Atdheu”;
4.    Partia “Drejtësia Shoqërore”;
5.    “Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë”;
6.    “Partia Komuniste e Shqipërisë”; 
7.    “Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve”; 
8.    Partia “Aleanca Kombëtare Shqiptare”; 
9.    Partia “Fronti i Majtë”;
10.    Partia “Aleanca Demokracia e Re”;
11.    Partia “Aleanca Demokratike Shqiptare”;
12.    “Partia e Reformave Demokratike Shqiptare”;
13.    Partia “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”;
14.    Partia “Ardhmërija Shqiptare”;
15.    Partia “Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane”;
16.    Partia “Partia Aleanca Socialiste Shqipëtare”;  
17.    Partia “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”;

Ora 11:11
Meta deputet nga burgu? Celibashi: S’mund të jap vendim në këtë moment, ja çfarë parashikon Kushtetuta

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një konferencë për gazetarët foli edhe për Ilir Metën, të cilit Sali Berisha i ka premtuar një vend në listat e sigurta të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Celibashi tha se nuk mundet në këtë moment të jap një vendim për një çështje, e cila sipas tij, mund të jetë potencialisht objekt i shqyrtimit nga komisioneri, madje edhe nga institucione të tjera. Po Celibashi, cilësoi se Kushtetuta parashikon se deputet bëhet çdo kush që shpallet fitues sapo e shpall KQZ.

“Nuk mund të jap vendim për një çështje në këtë moment. Kushtetuta parashikon se deputet bëhet çdo kush që shpallet fitues sapo e shpall KQZ”, tha Celibashi.

Ora 10:48
Sa është kostoja e votës së diasporës? Celibashi: Rreth 7.5 mln euro! Votuesi nuk mund të asistohet gjatë votimit, vepër penale

 

Sa është kostoja e votës së diasporës?

"Kosto e shtuar e votimit nga jashtë është rreth diku 7.5 mln euro, është shtuar proporcionalisht numri I votuesve nga jashtë nga ajo që kemi parashikuar 100 mijë. Nuk mund të asistohet votuesi gjatë momentit të votimit. Edhe në rastin e votimit brenda vendit është e ndaluar. Nëse ndodh është vepër penale. Nuk mund të asistohet nga të tretë" tha Celibashi.

Ora 10:40
Celibashi: Integriteti i votës e diasporës e sigurtë nga momenti kur futet në zarf! Nëse do të ketë evidenca të shitblerjes do të ketë pasoja

 

A ka siguri vota e shqiptarit të diasporës?

Ilirjan Celibashi: Ne sigurojmë që nga momenti që votuesi nga jashtë fut fletën e votimit në zarf e deri në momentin që nis procesi i numërimit integriteti I votës është I sigurtë 100%.

Se çfarë do të bëjë votuesi me fletën e votimit në shtëpinë e vet askush nuk mund ta thotë. Nëse do të ketë evidenca që vota në një rast të caktuar është pasojë e shitblerjes, intimidimit apo demonstrimit nga dikush të votës në mënyrë publike se për kë ka votuar do të ketë pasoja dhe të karakterit penal. Nuk është kërcënim por është ajo çfarë parashikon ligji.
Ka pak vend për të pasur frikë për integritetin e votës nga jashtë.    

Ora 10:33
Vota e diasporës/ Celibashi: Zarfi nga data 8 - 16 prill u dërgohet në shtëpi! Shërbimi do jetë ekspres dhe i gjurmueshëm! Përjashtohet posta shqiptare

 

Kur nis faza e dërgimit të fletës së votimit tek shqiptarët jashtë?

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha  se kjo do të bëhet nga data 8 – 16 prill nëse gjithçka shkon mirë dhe se shërbimi do të jetë ekspres dhe i gjurmueshëm.

 Do të shohim si shkon procesi i regjistrimit e miratimit të listave shumëemërore. Nëse ky proces shkon normalisht ne midis fundit të javës së parë të prillit dhe javën e dytë të prillit do të dërgojmë fletët e votimit dhe dokumentacionin zgjedhor për votuesit nga jashtë. Pra synojmë që mes datës 8- 16 prill të përfundojmë procesin e dërgimit të fletëve të votimit nga jashtë. Në këtë mënyrë votuesit kanë kohë për të plotësuar dhe kthyer mbrapsht në KQZ. Deri në fund të javës tjetër do të kemi përfunduar procedurat që lidhen me operatorin e shërbimit postar.

Do të përzgjedhim një prej operatorëve të njohur ndërkombëtarë e do të kërkojmë që dërgimi dhe kthimi i fletës së votimit të jetë ekspres dhe I gjurmueshëm.

  Kemi pasur kontakte me të gjithë pas përjashtim, dhe postën shqiptare për të kuptuar nga pikëpamja teknike si funksionon.  

Do të ftojmë ato brenda ndërkombëtare që janë të mirënjohura për shërbimin postar e do të përjashtojmë Postën shqiptare, se vetë ligji e ka përjashtuar.

S.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/03/2025 03:27

    Ceshtja zgjidhet po te hiqen nga fletevotimi emri i atyre qe jane ne lista te sigurta.E perse duhet te vihet emri i Rames,i Berishes,i Balles,apo Nokes,me shoke,kur dihet qe keta jane ne lista te sigurta se ua ka lene karrigen e deputetit te sigurte si partia,si gjyshi e babai meqe jane te perjetshem ne Kuvend si Dhoma e lordeve te Anglise.Keshtu jane dhe keta bejleret tane te politikes.Lereni vletevotimin vetem per partite,per koalicionet dhe per listat e hapura.

    Përgjigju
  • Zgjidhja: 07/03/2025 16:40

    Zgjidhje do ishte votim elektronik me prekje keshtu i jep zhvillim shpejtesise dhe cilesise se votimit

    Përgjigju
  • Kasem Gahinji: 07/03/2025 13:06

    Qelibashi i papergatitue?Te mbeshtet ne ligjin per dekriminalizimin.Te gjithe qe Jane ne proces penale te hiqen nga listat.Fare thjeshte Dhe pergjegjesit Bije drejtperdrejte mbi KQZ.Keshtu rritet dhe pergjegjesit e saj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?