Kandidati i PS për Tiranën, Blendi Gonxhja, ishte i ftuar këtë të mërkurë në Report Tv, ku ndër të tjera foli edhe për votën e diasporës.
"Rezerva" ka për Greqinë, shtet për të cilin thotë se na ka surprizuar për keq, pasi ka probleme me ndarjen e pakove zgjedhore për emigrantët shqiptarë.
Gonxhja tha se është një ndër shtetet që tregoi më shumë probleme e dorëzimin e zarfeve për diasporën.
“Ndërkohë që kemi disa probleme, kjo ka bërë t'i përvishemi fort Greqisë. Ka edhe një problem me adresat. I ka njerëzit jo në adresat ku deklarojnë. Njerëzit po shkojnë tek pikat postare, po plotësojnë votën atje. Ka rifilluar dhe po ecën mirë. Greqia na ka surprizuar për keq në kuptimin e funksionimit të sistemit postare, edhe pse kontrata ka qenë me DHL. Jemi pa fjalë sa i përket shërbimit postar. Diçka nuk ka funksionuar në vendin që ne kemi numrin më të madh të emigrantëve që votojnë, ku kemi bërë edhe takimet më të mëdha, panairin e punës. Do jetë një votë që na ka gjykuar në distancë”, shprehet Gonxhja.
Ambasada shqiptare në Greqi njoftoi sot se pikat e kompanisë postare DHL në Athinë dhe Pire do të funksionojnë me orar të zgjatur. Ky njoftim erdhi pas ankesave të shumta për problematika lidhur me shpërndarjen e zarfeve me materialet zgjedhore për votuesit jashtë vendit, shumë prej të cilave të raportuara në Greqi.
