Komisioni i Rithemelimit është duke ndërtuar ura komunikimi me diasporën për të hartuar një program qeverisës ambicioz për shqiptarët jashtë kufirit. Indrit Hoxha, Sekretari për Emigracionin në Partinë Demokratike, gjatë një interviste për “Report Tv”, bëri të ditur se PD është në një fazë riorganizimi total dhe po zhvillohen takime në të gjithë Europën, deri në Australi. Ai dënoi dhe sjelljen e mazhorancës, që ka kthyer zyrat e ambasadave jashtë vendi, në seli partie.
“Mazhoranca krijoi një Ministri për Diasporën, më pas e shkriu duke e kthyer në një agjenci për diasporën. Edhe këtë kërkon të shkrijë dhe agjencinë, për ta zhdukur nga skena politike diasporën shqiptare. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë, pasi kjo mazhorancë ka bërë gjithçka për ta shkatërruar këtë vend, për ti larguar nga ky vend, e kanë të qartë se nuk e kontrollojnë dot votën e diasporës. Kjo është arsyeja se përse mazhoranca socialiste nuk ka vullnetin e duhur për ti dhënë diasporës mundësinë për të votuar. Qëndrimi i PD dhe kryetari të saj është shumë i qartë, që zgjedhjet të përgjithshme pa votën e diasporës nuk do të ketë më në Shqipëri. Në shtator do nisim një debat të gjerë publik brenda Shqipërisë, por edhe me jashtë vendit, për mënyrën se si duhet të lexohet e numërohet vota e diasporës.
Ne kemi një alternativë tonën, që sqaron se të gjithë shqiptarët jashtë vendit të kenë mundësi të votojnë dhe vota e tyre të lexohet e numërohet tek qarku dhe njësia ku ata kanë qenë të regjistruar këtu në Shqipëri. Ata të PS kërkojnë tjetër gjë. Ata kërkojnë që vota e diasporës të ketë dy apo tre deputetë të caktuar, apo ti bashkëngjiten një qarku në Shqipëri. Kjo s’mund të ndodhi. Emigrantët tanë jashtë Shqipërisë janë thuajse të barabartë me ato që jetojnë brenda vendit. Gjatë këtyre 9 viteve, në PD është bërë një punë lidhur me organizimin e diasporës, por s’ka mjaftuar. Ne kemi hyrë në një fazë riorganizimi total, në një qasje tjetër në raport me diasporën. Ne po punojmë për të zhvilluar takime në të gjithë europën, deri në Australi për të mundësuar hartimin e një program qeverisës ku përfshihet edhe diaspora”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Vota e diasporës/ Hoxha: Të jetë e barazvlefshme me atë brenda vendit, jo siç e kërkon PS! Krashi: Me rëndësi të votojnë
SI.E.//ReportTv.al