TIRANË- Pas ankesës në KQZ, Partia Demokratike ka zhvilluar një konferencë për shtyp ku denoncon problematikat me votën e diasporës. Përfaqësuesi ligjor i PD, Franc Nuri thotë se shumë qytetarë po hasin vështirësi për tërheqjen e zarfeve për shkak të gabimeve në adresë ose në numrat e telefonit.
Rast problematik sipas tij mbetet Greqia. Nuri pretendon se disa individë kanë pohuar publikisht se kanë pasur 'marrëveshje' me DHL për të tërhequr me dhjetëra zarfe, një veprim që e cilësoi si “krim zgjedhor”. Ai i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet, ndërsa thotë se në të kundërt PD do bëjë kallëzim.
“Një pjesë e zgjedhësve e kanë të vështirë ta tërhiqnin zarfin në momentin që ka gabim adrese apo numrin e telefonit. Tipologjia e problemeve është e gjithanshme. Problemi më shqetësues është ai që ka të bëjë me Greqinë, në lidhje me rastin e Kretës që është krim zgjedhor. Publikisht disa individë që pretendojnë se janë përfaqësues të OJF apo shoqatave, në rrjete social kanë dalë dhe kanë thënë që kamë pasur marrëveshje me DHL për të tërhequr me dhjetëra zarfe. Presim që SPAK të këtë nisur hetimet. Nëse s’do e bëjë, PD do dorëzojë kallëzim penal. Nuk mundet që DHL të nënkontraktojë”, tha Nuri.
Më tej, Nuri thotë se ka raste që qytetarëve u ka shkuar pakoja zgjedhore pa fletën e votimit, apo një personi i kanë shkuar dy fletë votimi.
“Janë raste që u ka shkuar zarfi pa fletë votimi brenda, ka raste ku ka shkuar zarfi i një qarku tjetër, një zgjedhëse që do votojë në qark tjetër. Ka dhe raste kur u kanë shkuar dy fletë votimi një individi. Rastet e tërheqjes së zarfeve nga familjarët. Ka probleme të tjera që janë raportuar si SHBA apo MALTA, ku shqiptarët nuk po arrijnë të dorëzojnë zarfet në pikën DHL më të afërt se u është thonë që ka mbaruar kontrata me nënkontraktonin. Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha Nuri.
E deleguara e PD për votën e diasporës, Jozefina Topalli thotë se kompania postare DHL po shkel protokollet dhe i kërkoi KQZ që të marrë masa. Emigrantëve u bëri thirrje që të sakrifikojnë dhe të shkojnë vetë në postë për të marrë votat.
“I bëj thirrje KQZ që të kërkojë DHL të përmbushin ligjoret logjistike. Thyerja e afateve dhe standardeve të vendosura në ligj është cenim i votës së shqiptarëve dhe do cenonte integritetin e zgjedhjeve”, tha Topalli.
Greqia vijon të jetë një problem, pavarësisht një aktivizimi të lartë të KQZ-së dhe Ambasadës Shqiptare në Athinë. Rreth 60 mijë votues nuk kanë kthyer zarfe në Shqipëri, që do të thotë se ata nuk e kanë marrë fletën e votimit ose nuk kanë mundur ta kthejnë atë.
KQZ ju kërkon shqiptarëve në mbarë botën të hyjnë online në faqen e saj e të raportojnë problemet, për t’i zgjidhur në 10 ditët që kanë ngelur në dispozicion.
Ambasada jonë në Greqi po poston përditë në rrjetet sociale adresa të zyrave postare që do të jenë hapur përtej orarit zyrtar dhe në ditë pushimi për këtë qëllim. 90 mijë vota tashmë janë në KQZ, por 30 mijë votues ende nuk e kanë marrë pakon zgjedhore.
E deleguara politike për diasporën, Jozefina Topalli në një konferencë për mediat tha se diaspora dhe gratë do të bëjnë ndryshimin në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Topalli komentoi edhe deklaratat e Ramës, kur thotë se burrat që votojnë kënetën janë politikisht “çyryk”.
Sipas Topallit, gratë nuk pranojnë kurrë që baballarëve të fëmijëve të tyre t’u thonë qeros apo çyryk.
“Shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje kësaj qeverie që të marrë përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e saj ligjore dhe logjistike. Shkelja e afateve dhe standardeve të përcaktuara me ligj është një kërcënim serioz ndaj votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, cënon rëndë integritetin e këtyre zgjedhjeve.
Por, duke thënë këtë, në të njëjtën kohë dua të përsëris mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë shqiptarët që, në mënyrë masive, po votojnë, po sakrifikojnë dhe po sfidojnë vështirësitë, edhe pse nuk e kishin për detyrim. Me votën e tyre, me zarfin që e dërgojnë në Shqipëri, ata duket se do të përmbysin regjimin që i përjashtoi, që i dëboi nga vendi i tyre.
Janë dy momente kyçe që do të bëjnë ndryshimin e madh, diaspora e para dhe e dyta gratë të cilat nuk pranojnë kurrë që baballarëve të fëmijëve të tyre t’u thonë qeros, çyryk se i bie që fëmijët e tyre për shkak të ADN të jenë të tillë, ne e shohim me pozitivitet votimin që po ndodh kudo në botë, është një moment historik.
Ne e shohim me pozitivitet këtë proces votimi që po ndodh kudo nëpër botë. Kjo kërkon mirënjohje. Kjo është një ngjarje historike. Shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie, në një akt historik për t’iu kundërvënë dëbimit që u është bërë për vite me radhë, më shumë se një milion shqiptarëve, jo thjesht si emigrim ekonomik, por si një proces që ka marrë përmasa të një spastrimi etnik.
Nëse nuk ndalojmë këtë fenomen të dëbimit dhe largimit të shqiptarëve, shumë shpejt do të shndërrohemi në një vend azili për të moshuar, ndër më të vetmuarit në botë. Ne, shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe ata jashtë saj, nuk duhet dhe nuk do të lejojmë kurrë që të humbasim vendin dhe kombin tonë për shkak të interesave të ngushta, arrogancës apo frikës së dikujt që kërkon vetëm të mbajë pushtetin”, u shpreh Topalli.
Komente
