Ministri i Diasporës Pandeli Majko pas vlerësimit të hapit që hodh dje nga palët politike në Këshillin Politik për votën e emigrantëve, ngriti në foltoren e Kuvendit një tjetër problem me të cilën hasen shqiptarët jashtë vendit.
Problemi lidhet me pajisjen me pasaportë. Për ta ilustruar, Majko mori dy shembuj, shqiptarët në Kanada që duhet të udhëtojnë dy herë në Nju Jork për t'u pajisur me pasaportë, por ashtu edhe ata në Kretë të Greqisë, që duhet të shkojnë në Athinë. Majko iu drejtua deputetëve duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje që në momentin që të kenë të drejtën e votës mos të përballen me këtë problem.
"Është një moment i rëndësishëm, shtyrja e afatit të pasaportave për personat mbi 75-vjeç është akt i rëndësishëm që prek edhe shqiptarët jashtë vendit. Kemi gati gjysmën e popullisë jashtë vendit. Kemi rastin e Kanadasë, shqiptarët shkojnë në Nju Jork për të bërë pasaportat, duhet të udhëtojnë dy herë nga cdo cep i Kanadasë në Nju Jork. Rasti i dytë është Kreta, ka 35 mijë shqiptarë që jetojnë atje, duhet të shkojnë dy herë me avion në Athinë, të japin gjurmët e gishtave dhe të presin lajmërimin për të shkuar.
Ne kemi dhënë një ndihmë të madhe për personat mbi 75-vjeç, u urojmë jetë të gjatë edhe 100, por shqetësim duket të kemi shpërndarjen e këtyre dokumenteve për shqiptarët në të gjithë botën, është një problem shumë i madh. Shpresoj që shumë shpejt të ulemi bashkë me kompaninë franceze dhe gjendjen Civile se kjo është një nga emergjencat më të mëdha. Dje këshilli politik mori një vendim për rakordimin dhënien në parim për shqiptarët jashtë vendit, është reformë esenciale.
Dje u ndez drita jeshile, se në komisionin e reformës do të merren vendimmarrjet bazuar në këtë marrëveshje dhe ne t'u japim jo vetëm një lajm, por atë të drejtë Kushtetuese të mohuar. E drejta e votës nëse nuk shoqërohet me këto kapacitete, ky do të kthehet në një problem të madh. Kjo nuk duhet të kthehet në sherrnajë që nuk kemi mundësi të nxjerrim pasaportat për aplikimin e së drejtës së votës. Kërkoj ndihmën e parlamentit për një nga elementët më thelbësor" tha ai.
Lajmi kryesor:
Debate në Kuvend/ Hajdari: Nëse hapen listat fiton fermeri, jo gangsteri! Ruçi: Në 30 Qershor mblidhet 'Legjislacioni'
//ReportTv.al