Deputeti i PS, Toni Gogu, gjatë fjalës së tij në Kuvend u ka kërkuar demokratëve që të sprapsen nga sulmet e tyre të pabaza dhe të punojnë për Shqipërinë, vendin i cili së shpejti do të jetë pjesë e familjes së madhe europiane.
Gogu u shpreh se zgjedhjet e 11 Majit ishin vullneti i qytetarëve, të cilët me votë i besuan një tjetër mandat Partisë Socialiste, ndërkohë që shtoi se akuzat e demokratëve nuk qëndrojnë dhe se votat nuk janë vjedhur në zgjedhjet parlamentare, por në “primaret” e vetë selisë blu të cilat u bënë muaj më parë.
“Janë vjedhur vota, po janë vjedhur në primaret e PD dhe e di çdo demokrat këtë gjë. Po është vjedhur, po është vjedhur jeta e 4 qytetarëve në bulevard dhe këtë e pa çdo shqiptar, patjetër. Po është vjedhur shpresa e të rinjve që sot presin të zgjedhin”, tha ai.
Gjithashtu ai kërkoi që Zoti të bekojë vendin tonë, nga ata që janë gati ta djegin, se nuk e qeverisin dot.
“Sot, të nderuar kolegë ne kemi mundësi të tregojmë se Shqipëria është mision, Shqipëria është udhëtim, Shqipëria është një besëlidhje me të ardhmen dhe Shqipëria nuk ka nevojë për mallkim dhe sharje.
Unë e mbështes këtë marrëveshje, jo si letra teknike por si shprehje e qartë e një vullneti politik të një Shqipëria që ecë, punon dhe nuk shpif, ndaj sot lutja ime është që Zoti ta bekojë Shqipërinë, shqiptarët të na ndriçojë të gjithë neve që sot, por dhe ata që do vijnë dhe marrin përgjegjësi , të na ndriçojë mendjen dhe ta ruajë Shqipërinë nga ata që janë të gatshëm ta djegin se nuk e qeverisin dot”, tha Gogu.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet ‘mollë sherri’ në Kuvend, PD: I vodhët me bandat! PS: Pengje të Berishës, u turrët të bënit pis Shqipërinë! Noka bllokon foltoren, përjashtohet
Xh.K/r.k./ReportTv.al