Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në qarkun e Lezhës. Gjatë procesit të votimit një incident u shënua në këtë qark, ku 2 persona u konfliktuan në qendrën e votimit 0871, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” në Fushë-Milot. Ata u identifikuan si Kastriot Përdoda dhe Asti Lleshi. Konflikti ka nisur brenda perimetrit të sigurisë në formë debati me fjalë dhe ka përfunduar edhe jashtë. Kastriot Perdoda dyshohet se ka shtënë një herë me armë zjarri në ajër jashtë perimetrit të sigurisë.
"Në Fushë Milot, jashtë perimetrit të qendrave të votimit, ka ndodhur një konflikt verbal mes dy shtetasve, ku, sipas një telefonuesi, është dëgjuar një zhurmë e ngjashme si e shtëna me armë zjarri.Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm.
Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit K. P. dhe A. Ll., dhe po punohet për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre.Procesi i votimit vazhdon normalisht në të gjitha qendrat e votimit dhe nga KQV-të apo Koordinatorët e sigurisë, nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë.
Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", informoi sot policia.
Në këtë qark janë 254 qendra votimi dhe 164,976 zgjedhës. Pas votimit kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në një prononcim për mediat u shpreh se sot është dita e qytetarëve.
"Procesi i votimit vijon normalisht. U bëj thirrje qytetarëve të Lezhës të votojnë. Është dita e tyre. Lezha i ka kaluar me sukses çdo proces zgjedhor”, tha Ndreu.
Ministri i Drejtësisë dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Lezhë, Ulsi Manja votoi ditën e sotme duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, ndërsa theksoi rëndësinë e votës si një akt qytetar dhe moral.
Ndërkohë edhe kandidati i PD për deputet Gjin Gjoni pas votimit u bëri thirrje qytetarëve të votojnë, ndërsa denoncoi prezencën e drejtuesve të njësive administrative nëpër qendrat e votimit.
Qarku i Lezhës zgjedh 7 deputetë në Kuvend, ku 2 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 7 të tjerë në listën e hapur.
Lajmi kryesor:
Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021
SI.E./S.B/ReportTv.al