Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun, të arrestuar si të përfshirë në vrasjen e Gentian Bejtjas disa ditë më parë në Larushkë të Fushë Krujës janë lënë në burg nga gjykata e Tiranës.
Ndryshe nga çfarë u tha në informacionin e parë të arrestimit, hetuesit duket se kanë zbuluar rolet e vërteta të Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu në vrasjen e Gentian Bejtjas më 15 mars.
Beqaraj, i cili mbante dhe dy mbiemra të tjerë, Brahimi apo Mançellari, i arrestuar të mërkurën për atentatin ku u vra Gentjan Bejtja brenda serës në oborrin e shtëpisë në Larushk, është personi që ka transportuar 4 atentatorët nga vendi ku u dogj makina e parë “Land Rover Discover” në fshatin Hasan, në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, devijuan djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe iu drejtuan fshatit Bubq, Krujë.
Hetuesit tashmë janë të bindur se nuk ka qenë ai në grupin e qitësve që gjetën hapur derën kryesore të oborrit dhe realizuan vrasjen. Burimet bëjnë me dije se Ilir Beqaraj mbërriti me makinën “Golf” pa targa në anën e pasme një minutë pasi autorët kishin djegur automjetin.
E njëjta makinë, tashmë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore, mund të zbardh detaje interesante mbi ngjarjen. Ajo do të ekzaminohet tërësisht në përpjekje për të gjetur prova biologjike të vrasësve që dyshohet të jenë me pagesë. Në drejtim të 43-vjeçarit Bejtja është qëlluar nga 3 kallashnikovë, kjo tashmë e provuar edhe nga rezultatet e ekspertizës.
Roli i pronarit të “Golfit”, Edison Haxhiu, po ashtu i arrestuar, mbetet akoma i paqartë, ndërsa deri tani për të akuza është për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, por nuk dihet më shumë për përfshirjen e tij. Teksa hetuesit presin me interes përgjigjen e laboratorit për makinën dhe sendet e tjera të sekuestruara, dyshimet janë për një vrasje që mund të ketë ardhur nga grupi i miqve të Ervis Martinajt, kjo lidhur me lidhjen e gjakut që Ilir Brahimi ka me njërin prej njerëzve të tij më të afërt, Ylli Brahimit.
Por, krimet e rënda të Policisë së Tiranës nuk e përjashtojnë mundësinë që pas saj të fshihen edhe grupe të tjera dhe porosia për vrasjen të ketë ardhur nga jashtë shtetit. Gentjan Bejtja u vra me më shumë se 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës me domate në oborrin e shtëpisë. Nga makina “Land Rover Discover” që u ndal te porta e oborrit zbritën 3 persona, të cilët hynë qetësisht derdhën breshëri plumbash drejt tij dhe po aq qetësisht u larguan.
Makina e autorëve
Gjykata ka lënë në burg Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun, të akuzuar si të përfshirë në atentatin ndaj Gentian Bejtjas. Avokati për mediat mohoi akuzat ndaj dy të arrestuarve.
“Asnjëri nuk ka lidhje me ngjarjen që ka ndodhur. Provat e prokurorisë janë pamjet filmike të një automjeti, i ngjashëm me atë që u pa në vendngjarje, por nëse është i njëjti, nuk e provojnë dot.
Edhe praninë e Ilir Beqarajt nuk arrin të provojë prokuroria. Ai ka qenë në shtëpi. Është djali i xhaxhait të Ylli Brahimit, ai ka zgjedh të jetojë në një zonë rezidenciale për shkak se i janë bërë disa atentate, ky automjet nuk ka lëvizur në atë interval rruge, e tregon GPS, i kërkuam ekspertizë gjykatës dhe e pranoi”, tha avokati i të akuzuarve.