Biznesmeni italian Edoardo Sarchi 44 vjeç mbeti i vrarë me një plumb në këmbë që i shkaktoi hemorragji. Policia e Gjirokastrës ka identifikuar si autor dhe e ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Kamber Sulçaj nga fshati Mesaplik i Vlorës.
Sipas dinamikës që dihet nga hetimet e deritanishme, palët u përfshinë në një sherr të çastit për dritat e gjata të makinës. Më pas, autori Sulçaj qëlloi me armë gjahu me municion luftarak. Plumbi e preku rikoshet nga asfalti i rrugës biznesmenin 44-vjeçar duke i marrë jetën.
Por në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë e armës.
Siç është thënë edhe nga dëshmitë e miqve të biznesmenit italian të cilët ishin së bashku, autori qëlloi 2-3 herë me armë.
Ndërsa në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë arme. Blutë e Gjirokastrës e kanë kontrolluar vendin e krimit të paktën dy herë.
Shqiptarja.com ka mësuar se vendi i ngjarjes u kontrollua edhe me detektorë metalikë nga grupi hetimor i Gjirokastrës, megjithatë aty nuk u gjet sërish asnjë gëzhojë.
Por një fakt interesant është zbuluar në banesën e autorit në fshatin Mesaplik të Vlorës, ku dhe ai banon.
Sipas burimeve të Shqiptarja.com, mësohet se policia ka gjetur aty një sasi të madhe gëzhojash të armëve të gjahut. Mes tyre ka edhe gëzhoja shumë të vjetra në kohë.
Fakt që tregon se Kamber Sulçaj mesa duket ka qenë i fiksuar me gëzhojat e armëve dhe i grumbullonte apo koleksiononte.
Kujtojmë se 48-vjeçari gjuante shpesh me armë për shkak se dilte për gjueti.
Ndoshta, për këtë arsye, edhe në vrasjen e biznesmenit italian, Kamber Sulçaj mund të jetë kujdesur për të mbledhur gëzhojat apo mund të ketë qëlluar nga brenda mjetit të tij duke mos lënë gjurmë në vendngjarje.
Një detaj i rëndësishëm për t’u theksuar është edhe fakti që arma e krimit, armë gjahu me vjaska, pra me municion luftarak që përdoret kryesisht për gjuetinë e derrave të egër, nuk është sekuestruar nga policia.
Nuk dihet nëse Kamber Sulçaj e ka hedhur/fshehur diku, apo e posedon ai teksa është ende në arrati.
48-vjeçari vijon të jetë në kërkim dhe uniformat blu po vazhdojnë punën për kapjen e tij.
Ndërkohë, makina e autorit të dyshuar u gjet në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Aty pranë ndodhet një stan, që është në pronësi të 48-vjeçarit Sulçaj, por automjetin e kishte braktisur 2 kilometra më tutje. Mjeti u gjet nga policia falë kërkimeve me dron.
Lajmi kryesor:
Zbardhet vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, në kërkim 48-vjeçari nga Vlora aksioner guroreje! Shkak dritat e gjata të makinës, policia e gjurmoi përmes kamerave (EMRI+VIDEO)
V.GJ /ReportTv.al
