Tre ditë pas vrasjes së italianit Edoardo Sarchi në Tepelenë, policia zbuloi autorin dhe e shpalli në kërkim. Motivi duket krejtësisht banal, zënkë e momentit për dritat e gjata të makinave. I dyshuari Kamber Sulçaj, një 48-vjeçar nga fshati Mesaplik i Vlorës, qëlloi me armë ndaj italianit e miqve nga Tepelena që e shoqëronin. Policia gjeti makinën me të cilën kishte qenë vlonjati, të braktisur pranë një stani në mal. Në banesën e vlonjatit në fshat dhe të familjarëve të tij në Vlorë policia sekuestroi 25 mijë €, armë gjahu, fara kanabisi e 2 kasaforta.
***
Me gjithë misterin që e mbuloi, dëshmitë kontradiktore të personave që ishin me të, sipërmarrësi italian në vendin tonë, Edoardo Sarchi, dyshohet se mbeti viktimë e një sherri krejtësisht banal për dritat e gjata të makinës me një shofer të rastësishëm përballë tyre.
44-vjeçari italian të premten e 26 shtatorit, kishte qenë në shtëpinë e pushimit të Eqerem Braçit e dy djemve të tij, Gazmend e Daniel, në fshatin Salari. Vonë në mbrëmje dolën për gjueti me 2 automjete.
Rrugës, pranë mesnatës, u përballën me një tjetër automjet, i cili kishte ndezur dritat e gjata.
Këtu mendohet të ketë nisur një debat, që i ka nxjerrë palët nga makinat e tyre, pasi dritat e gjata nuk po fikeshin duke penguar shikimin.
Në timon, në makinën përballë rezultoi të ketë qenë Kamber Sulçaj, një 48-vjeçar nga fshati Mesaplik i zonës së lumit të Vlorës, të cilin siç dëshmuan për orë të tëra të qëndrimit në polici, Braçët nuk e njohën.
Sipas policisë, e cila doli me njoftim zyrtar këtë të hënë, 48-vjeçari fillimisht është konfliktuar verbalisht me italianin dhe miqtë që e shoqëronin. Më pas Kamber Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu të fuqishme me plumba në drejtim të tyre dhe automjeteve të ndaluara.
Burime nga grupi hetimor thonë se i dyshuari ka qëlluar drejt gomave të makinës. Një plumb rikoshet me asfaltin, kapi në arterien kryesore në këmbë, dhe la të pajetë Edoardo Sarchin, i cili mendohet se fshihej pas makinës.
Në gjurmët e të dyshuarit u ra falë kameras së sigurisë së banesës në një fshat pranë.
Policia nisi të kërkojë për kamera të tjera të shtëpive në një perimetër më të gjerë, dhe arriti ta pikasë makinën, pas krimit, me ditë, teksa afrohej në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë.
(Në foto: Makina e autorit)
Aty efektivët shkuan dhe pranë një stani gjetën të braktisur automjetin dhe veshjet që dyshohet se përdori gjatë krimit. Pranë, hedhur në shkurre u gjet një çantë me 2 dylbi (termik dhe me rreze infra), 1 elektrik dore dhe 1 mbajtëse arme.
Arma e krimit me vjaska, e cila kryesisht përdoret për gjuetinë e derrave të egër, për fuqi më të madhe goditëse, nuk është gjetur ende.
Blutë shkuan edhe në shtëpinë e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, ku u gjetën 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 2.5 milionë lekë, 450 fara kanabisi dhe 2 kasaforta të mbyllura.
I dyshuari akuzohet për 3 vepra penale, "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Në vendngjarje, policia sekuestroi makinën e italianit dhe shoqëruesve të tij, si dhe 2 armë gjahu, të cilët mendohet t’i ketë pasur italiani me Braçët dhe janë dërguar në laborator për t’u ekzaminuar nëse prej tyre është bërë qitje.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër:
Salari, Tepelenë/Hetimet e shpejta dhe profesionale çojnë në zbardhjen e autorësisë dhe dinamikës së vrasjes së shtetasit E. S., trupi i pajetë i të cilit u gjet në vendin e quajtur "Qafa e Dilanit", pas mesnatës së datës 26.09.2025.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 48-vjeçar, autori i dyshuar i vrasjes.
Nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë, drejt shtetasit E. S., shtetasve që e shoqëronin atë dhe automjeve të tyre të ndaluara.
Nga të shtënat humbi jetën shtetasi E. S..Sekuestrohen nga vendngjarja, automjetet e shtetasit E. S. dhe shoqëruesve të tij, si dhe 2 armë gjahu.
Gjithashtu, sekuestrohen automjeti dhe veshjet e përdorura gjatë krimit, si dhe 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu, municion për armë gjahu me saçme, municion për armë me vjaska, 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale të DPPSh-së, të drejtuar nga Prokuroria e Gjirokastrës, ngritur menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth mesnatës së datës 26.09.2025, në aksin rrugor “Nivicë-Salari”, ku u vra shtetasi italian E. S., 44 vjeç, u mundësua zbardhja e autorësisë dhe rrethanave të rastit.
Konkretisht, u identifikua autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi K. S., 48 vjeç banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i cili u shpall në kërkim për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari, fillimisht është konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta, me shtetasin E. S. dhe me shtetasit që shoqëronin këtë të fundit. Më pas shtetasi K. S. dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska, në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari.
-Gjatë veprimeve procedurale u sekuestruan nga vendngjarja, automjetet e përdorura nga shtetasi E. S. dhe shoqëruesit e tij, si dhe 2 armë gjahu.
-Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit.
Gjithashtu në këtë zonë, u gjet e hedhur në shkurre, një çantë, në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore.-Më tej, gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Vlorës, në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, u gjetën rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta (të mbyllura).
Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës dhe me Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, me qëllim kapjen e shtetasit K. S..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Autori Kamber Sulçaj dhe viktima Edoardo Sarchi
Personi në foto është Kamber Sulçaj 48 vjeç, autori i vrasjes së biznesmenit italian në Tepelenë.
48-vjeçari Sulçaj është i shpallur në kërkim nga policia për 3 vepra penale; vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Ai është nga Mesapliku i Vlorës dhe akuzohet për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchit.
Ngjarja ka ndodhur për motive krejt banale. Mes tij dhe viktimës, si dhe personave që shoqëronin këtë të fundit, pati një sherr për dritat e gjata të makinës. Debati degjeneroi më pas në përdorimin e armës.
Autori Kambert Sulçaj qëlloi me një çifte drejt biznesmenit italian dhe shoqëruesve të tij, si dhe dy makinave me të cilat udhëtonin ata. Mësohet se 44-vjeçari italian u prek nga plumbi pasi bëri rikoshet në asfaltin e rrugës.
Komente

Futeni nje burgim te perjetshem e kaq ete mesonj te tjeret per dritat e gjate e te shkutra nuk i merret jeta njeriut.
PërgjigjuNje shprehje te mire thuhej ne malin e shenjte ne Merditë, i joti ta fut ! Miqte e vet e derguan ne pickle te semës , ndaj edhe Ali Pashait te vetë ja futen ne fund nuk ku afrua Napoleoni por ja futen te tijët , ndaj keto thenie te vjetra rrojnë dhe sot , ky rast iku , ruaju nga miku jot , i yti ta fut ! Qudi kjo Shqipëri vend I Vogel me histori te medha ! Jemi ne 2025 akoma shprehje te 1700-1800 Kane vertetësi historike ‘
PërgjigjuKeto historia me drita te gjata eshte per filma fantastiske e shpikur nga policia Ka dy mundesi ai ashtuquajtur autor eshte i semure mendor ose eshte specie e primitivitetit qe kjo e dyta eshte turp per identitetin tone Tjeter kund fle lepuri