Fadil Kasemi

Vrasja e gjyqtares Hafizi, rrëfimi i plotë i burrit: E bëra drejtoreshë, por s’më hapte as telefonin

2 Nëntor 2018, 12:59| Përditesimi: 2 Nëntor 2018, 13:07

  • Share

Fadil Kasemi, njeriu që ekzekutoi me armë ish-gruan e tij gjyqtaren e Shkodrës, Fildeze Hafizi, ka dëshmuar përballë trupit gjykues të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kasemi ka shpjeguar në dëshminë e tij se me ish-gruan ka pasur marrëdhënie shumë të mira, deri në momentin kur ajo ka fituar studimet për në shkollën e magjistraturës. Në një rrëfim mjaft emocionues, i pandehuri i këtij procesi gjyqësor, ka pohuar se motivi i këtij krimi të rëndë ka qënë pikërisht mosmirënjohja nga ana e gruas dhe devijimi i sjelljes së saj në marrëdhënin bashkëshortore.

Një pjesë e dëshmisë së dhënë nga Kasemi është dëgjuar nga të pranishmit në sallë ndërsa pjesa tjetër, është dëgjuar me dyer të mbyllura pasi Kasemi ka kërkuar nga gjykata përjashtimin e të pranishmëve në sallë pasi, do tregonte katër elementë të rëndësishëm, elementë këta që kishin të bënin me çaste private të bashkëshortëve Hafizi dhe Kasemi dhe që nuk dëshironte ti ndante me të pranishmit që ndodheshin në sallën e gjyqit. Ky i fundit ka treguar në gjykatë se ishte arsimuar para viteve 1990 në shkollën industriale.

“Me Fildezin jemi njohur, kur unë isha kthyer nga emigracioni dhe me pëlqimin e të dyja palëve jemi fejuar. Për shkak të vështirësive ekonomike të të ndjerës kam paguar unë të gjitha shpenzimet e fejesës së saj. Pasi jemi lidhur kam ndërhyrë dhe e kam futur në punë në kopësht, pasi Fildezi kishte mbaruar shkollën e Mësuesisë, Cikli i Ulët. Gjatë kësaj kohe më kërkoi ti afroja familjen në Tiranë, dhe të dy prindërit e saj i kam sjellë nga Shkodra në Tiranë, duke i paguar unë për 15 vite me rradhë qëranë e shtëpisë.Për 15 vjet me rradhë unë nuk e dija sa e kishte rrogën Fildeze dhe se herë pas here më tregonte se kursente çdo muaj nga 100 euro për fëmijët. Gjatë kësaj kohe më kërkoi ta bëja drejtoreshë në kopësht dhe më ndërhyrje e kam bërë drejtoreshë kopshti në Tiranë. Ne jetonim mirë, bënim të paktën 1 muaj pushime së bashku me vjehrrën dhe vjehrrin”-ka pohuar i pandehuri Fadil Kasemi.

“I fitova shkollën e magjistraturës”
Në rrëfimin e tij Kasemi hodhi dritë mbi mënyrën se si kishte fituar shkollën e magjistraturës ish-bashkëshortja e tij, të cilën e bëri nga mësuese e ciklit të ulët në gjyqtare në Shkodër. Sipas tij, shkollën e magjistraturës ja ka financuar dhe fituar duke e bërë në mënyrë jo të drejtë dhe me veprime jo ligjore. “I kam fituar shkollën e magjistraturës duke e bërë këtë në mënyrë jo të drejtë dhe jo të ligjshme. Fildezin e kisha bërë drejtoreshë kopshti në Tiranë, kur gjatë kësaj kohe më kërkoi që të vazhdonte studimet për juridik.

Të gjithë pagesën e kam bërë unë, në universitetin privat “Iliria”. E ka bërë shkollën e Juridikut dhe pas kësaj më ka kërkuar që të vazhdonte magjistraturën. Më kërkoi që të fitonte magjistraturën dhe unë e ndihmova, duke e bërë në mënyrë të padrejtë këtë punë. Deri para magjistraturës marrëdhëniet tona kanë qënë shumë të mira.

Mirëpo sa fitoi magjistraturën filloi të më ngacmonte me shprehje dhe fjalë të ndryshme. Filloi të më mbyllte telefonin dhe nuk përgjigjej për disa orë, edhe kur e hapte s’donte të më jepte shpjegime. Herë pas here më akuzonte që unë nuk i doja dy fëmijët tanë. Më thoshte që kështu jeni ju vllezërit kaq të urtë. Një ditë pashë vjehrrën që mblidhte fotot e fëmijës dhe të ndjerës dhe kjo më bëri shumë përshtypje”-ka treguar në gjykatë Kasemi.

Konflikti për Shën Valentin
Në rëfimin e tij Fadil Kasemi ka shpjegur edhe një moment tjetër në marrëdhëniet e tyre bashkëshortore, ku pikërisht në festën e të dashuruarve, Kasemi e Hafizi janë konfliktuar. “Në 13 shkurt 2015 i thashë gruas ku do shkojmë për “14 shkurtin”. Ajo ma ktheu se do dilte me një shoqen e saj se i kishte blerë një shall. Me ironi i kam pohuar se mos është lesbike kjo shoqja.

Unë në atë kohë punoja në një Eurollote tek tregu çam dhe me këpucë të përdorura. Meqënëse ajo nuk donte të dilte me mua, unë kam dalë dhe kam shkuar jashtë. Por në 2 mars 2015 Fildezi më tha se çfarë do bëjmë. Për çfarë i thashë…?Ajo ma ktheu se donte të ikte tek babai i saj. I thashë ta linte këtë bisedë se u zgjuan fëmijët dhe dola jashtë.

E mora më pas në telefon dhe i thashë prit të vij e të flasim, por ajo më tha se do ikte tek babai. Kur u ktheva në shtëpi ishte një person në banesë që e mbajta me bukë 7 vjet, pastruesja e shtëpisë. Ajo po i ngarkonte të gjitha rrobat dhe sendet e Fildezit, pasi kjo e fundit kishte vendosur të më braktiste, dhe të ikte tek babai i saj”-ka deklaruar i pandehuri në gjykatë.

Në këtë moment Fadil Kasemi, ka kërkuar që gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura pasi do tregonte katër elementë të lidhjes bashkëshortore, elementë këto që nuk dëshironte ti ndante me personat e tjerë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?