Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka pezulluar të gjitha proceset gjyqësore për periudhën 7-10 tetor, në shenjë reagimi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Vendimi parashikon që përjashtim do të bëjnë vetëm masat e sigurisë, ndërsa të gjitha çështjet e tjera do të shtyhen për një datë të dytë.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Dhomës së Avokatisë së Vlorës, Durim Bajramaj, theksoi se kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik dhe ka zbuluar dështimin e sistemit të drejtësisë në vend. Sipas tij, situata aktuale është pasojë e një sistemi të braktisur nga shteti, i cili e ka lënë drejtësinë në pasiguri dhe ka nxjerrë në pah problemet e thella të “hartës së re gjyqësore”.
“Ngjarja në Tiranë tregoi qartë dështimin e sistemit dhe të hartës së re gjyqësore, e cila u trumbetua si reformë, por në fakt dobësoi sigurinë dhe efektivitetin e gjykatave në vend. Shteti e ka lënë drejtësinë në këtë situatë të pasigurt ku ndodhemi sot”, deklaroi Bajramaj.
Kreu i Dhomës së Avokatisë u ndal edhe te siguria brenda ambienteve të gjykatave, duke e cilësuar atë si një problematikë të vazhdueshme. Ai theksoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si sinjal alarmi për institucionet që kanë për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë në sallat e gjyqeve.
“Siguria në gjykata është minimale. Çdo ditë avokatët, gjyqtarët dhe qytetarët ndihen të pasigurt. Kjo ngjarje tragjike është pasojë e një sistemi që po bie dita-ditës”, shtoi Bajramaj.
Sipas tij, edhe në Vlorë ka ende me dhjetëra çështje të prapambetura, kryesisht të natyrës së pronësisë, të cilat po shtohen çdo ditë për shkak të vonesave dhe mungesës së strukturave të plota pas zbatimit të hartës së re gjyqësore.
“Vrasja nuk duhet të ekzistojë si koncept, por duhet kuptuar se shumë çështje pronësie dhe padrejtësi ligjore, të mbartura prej vitesh, kanë çuar në tensione të rënda mes qytetarëve. Ligjet dhe shteti duhet të garantojnë zgjidhje, jo të nxisin konflikt”, deklaroi ai.
Gjykata e Vlorës pritet të rikthejë normalitetin në seancat gjyqësore pas datës 10 tetor.
Lajmi kryesor:
Apeli ‘skenë krimi’/ Pezullohen gjyqet në gjithë vendin, avokatët bojkot deri të premten! Lule në sallën ku vra gjyqtari Kalaja
SI.E./Xh.K/ReportTv.al